Skip to content
Kryesore

Gjysma e fëmijëve shqiptarë vuajnë nga anemia, mjekët ngrenë alarmin për pasojat

· 2 min lexim

Në Shqipëri, ashtu si në nivel global, po vërehet një rritje shqetësuese e rasteve me anemi, sidomos tek fëmijët, adoleshentët dhe gratë në moshë riprodhuese.

Sipas mjekes Manika Kreka nga QSUT, afro 40–50% e fëmijëve deri në moshën 6 vjeç janë anemikë, kryesisht për shkak të mungesës së hekurit, një formë e anemisë e fituar.

“Shifrat tona janë në përputhje me statistikat botërore. Anemia më e përhapur është e lehtë deri në të moderuar, por shqetësuese është rritja e rasteve në grupmosha gjithnjë e më të reja,” tha Kreka.

Edhe vajzat e reja dhe 1 në 3 gra në moshë riprodhuese përballen me këtë problem, që lidhet kryesisht me kequshqyerjen dhe virozat sezonale.

Sipas mjekes, ushqimet e gatshme po zëvendësojnë ushqimin e shëndetshëm, ndërsa infeksionet që fëmijët kalojnë shpesh, përkeqësojnë edhe më tej gjendjen e tyre shëndetësore.

Simptomat:
• lodhje të vazhdueshme
• dobësi fizike
• marramendje
• vështirësi në frymëmarrje

“Një fëmijë me anemi është më i plogësht, më pak i përqendruar dhe shpesh agresiv në sjellje,” thekson mjekja.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, anemia jo vetëm që ndikon në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve, por ndikon drejtpërdrejt në performancën e tyre në shkollë dhe në produktin ekonomik të të rriturve, duke sjellë pasoja për të gjithë familjen.

Përballë këtyre të dhënave, mjekët kërkojnë ndërhyrje urgjente për edukimin ushqimor dhe kontrollin e rregullt mjekësor, në mënyrë që të parandalohet përhapja e mëtejshme e anemisë në popullatë.