Skip to content
Aktualitet

Gjyqtari Gerd Hoxha u konfirmua në detyrë nga KPK, ONM kërkon shkarkimin e tij

· 2 min lexim

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Gerd Hoxha duke ankimuar vendimin, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi atë në detyrë.

Gjyqtari i Tiranës, Gerd Hoxha u konfirmua në detyrë në 3 qershor, por ONM kërkoi vlerësim negative për kriterin professional për shkak të dy vendimeve të marra nga ai kur ishte pjesë e KLD-së.Vendimet në fjalë kanë të bëjnë me dhënien e lejes për ish-gjyqtarin Gjin Gjoni dhe rrëzimin e kërkesës së Ministrit të Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtarit Petrit Aliaj.

Madje ishte vetë KPK që vuri në dukje mangësitë në burimet financiare në lidhje me pasuritë që Hoxha kishte të përbashkëta me ish-bashkëshorten Elbana Lluri. Megjithatë KPK nu ki gjeti këto arsye të mjaftueshme për shkarkim.

Njoftimi i plotë:

Në datën 3.6.2021, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Gerd Hoxha, me detyrë gjyqtar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë.

Vendimi nr. 393, datë 3.6.2021, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, iu njoftua Komisionerëve Publikë më datë 1.7.2021.

Më datë 8.7.2021, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Komisionerët Publikë janë duke shqyrtuar, në të njëjtën kohë, vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Rekomandimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit është publikuar në faqen zyrtare të Institucionit të Komisionerëve Publikë: http://ikp.al/rekomandime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.