Skip to content
Aktualitet

Gjyqi për Teatrin/ Gjykata Kushtetuese i tërheq vëmendjen palëve, shtyhet seanca për të mërkurën

· 2 min lexim

Ditën e sotme u mbajt seanca për Teatrin Kombëtar. Gjatë seancës së zhvilluar, Kushtetuesja u tërhoqi vëmendjen palëve për mosrespektimin e afateve.

Sipas deklaratave të  gjyqtarëve të cilat i ka siguruar Ballkanweb, ata shprehen se të dyja palët nuk i kanë sjellë në afat dokumentet e nevojshme për të shqyrtuar çështjen.

“Ju dhamë kohë qeverisë për të sjellë dokumente. Nuk i sollën në afatet e përcaktuara nga gjykata. Edhe Presidencës ia kemi përcjellë jashtë afatit. Tërheqim vëmendjen e të gjithëve për mosrespektimin e afateve”, ka thënë gjykatësit.

Ndërkohë, nga ana tjetër, këshilltari ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj, ka thënë se nuk janë administruar të gjitha provat që ka kërkuar Presidenti i Republikës.

“Rezulton se nuk janë administruar të gjitha provat që kërkoi Presidenti i Republikës”, tha Dervishaj.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që seanca e sotme për çështjen e Teatrit Kombëtar të shtyhet për nesër në orën 10.00. Kushtetuesja e mori vendimin pasi pranoi që të administrojë edhe vendimin e Këshillit Bashkiak për prishjen e teatrit si provë. Kujtojmë se  Presidenti Ilir Meta kundërshton ligjin special për ndërtimin e teatrit të ri, si dhe kalimin e truallit në pronësi të Bashkisë Tiranë. Palët në proces janë Presidenti si kërkues, kundër Kuvendit, qeverisë dhe Bashkisë Tiranë. Palë e përfshirë në proces është Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.