Skip to content
Aktualitet

Gjykata e Lartë vendos në favor të banorëve, pezullohet puna për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë

· 2 min lexim

Puna për ndërtimin e HEC-eve në Valbonë është pezulluar me vendimin e Gjykatës së Lartë.

Gjykata e Lartë e mori vendimin këtë të martë dhe pranoi kërkesën e banorëve të 27 fshatrave të Bashkisë së Tropojës dhe Shoqatës “TOKA”, Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare që kundërshtuan projektin e ndërtimit të dy hidrocentraleve. Bëhej fjalë për hidrocentralet Dragobia dhe Cerem që do të ndërtoheshin  në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës nga shoqëria koncesionare Dragobia Energy SHPK.

Shoqata e dërgoi kërkesë-padinë në Gjykatën Administrative në vitin 2017, ndërsa vendimi u mor sot në Gjykatën e Lartë për të pezulluar ndërtimin e HEC-eve.

Gjykata pranoi kërkesën paditëse dhe pezullimi i kontratës së koncesionit do të bëhet deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim të formës së prerë.

“Pranimin e kërkesës së palës paditëse për marrjen e masës së sigurimit të padisë për pezullimin e kontratës së koncesionit dhe shtesave të saj dhe lejeve të përmendura në pikat 3-6 të objektit të kërkesëpadisë, deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes me vendim të formës së prerë”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Kujtojmë se banorët kanë protestuar vazhdimisht kundër ndërtimit të HEC-eve dhe gjithnjë kanë deklaruar se nuk janë përfshirë në konsultime publike për ndërtimin hidrocentraleve.