Skip to content
Kryesore

Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin për Arbër Çekajn, trafikoi 613 kg kokainë nga Amerika Latine

· 1 min lexim

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin përfundimtar të dënimit me 14 vite burg për Arbër Çekajn, i konsideruar si organizatori i trafikut të 613 kilogramëve kokainë, të kapur në Portin e Durrësit në vitin 2018.

Lënda narkotike, e fshehur në një kontejner me banane që vinte nga Amerika Latine, ishte e destinuar për kompaninë “Arbi Garden”, në pronësi të Çekajt.

Sipas Prokurorisë, Çekaj kishte rol kyç në porositjen, organizimin dhe transportin e drogës drejt Shqipërisë. Fillimisht ai u dënua me 21 vite burg, por përfitoi ulje nga gjykimi i shkurtuar, duke iu kthyer në 14 vite.

Krahas tij, Gjykata e Lartë ka konfirmuar edhe dënimet për dy bashkëpunëtorët, Donaldo Lushaj do të vuajë 10 vite e 8 muaj burg, ndërsa Armando Pezaku 8 vite e 8 muaj.

Operacioni antidrogë u zhvillua më 28 shkurt 2018 dhe konsiderohet sekuestrimi më i madh i kokainës në historinë e Shqipërisë.

Sasia u gjet e ndarë në 528 pako të vulosura me simbole të ndryshme dhe ishte fshehur në dyshemenë e kontejnerit.

Në gusht të vitit 2022, Çekaj u përfshi në një tentativë arratisjeje nga burgu 313 në Tiranë, bashkë me të dënuarin Fatmir Pjetri, por tentativa e tyre u parandalua nga autoritetet.