Gjykata Kushtetuese pranoi ankimin e Arben Ahmetajt, ish-zëvendëskryeministër, lidhur me shkeljen e së drejtës së pronës private.
Megjithatë, ishte Gjykata e Posaçme e Apelit ajo që, duke u përpjekur të respektojë afatet kohore dhe nën detyrimin ligjor të vendosur nga Kushtetuesja, vendosi para pak ditësh që çështja e proporcionalitetit në këtë shkelje të trajtohej vetëm në përfundim të gjykimit në themel.
Ky qëndrim shkon në kundërshtim të qartë me linjën e Gjykatës Kushtetuese dhe dëmton rëndë pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Shpjegime:
Për vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit, pas kthimit për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese
Më 18.02.2025, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancë plenare, pa praninë e palëve, ankimin individual të Z. Arben Ahmetaj, me objekt:
“1- Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimeve Nr. 296 akti, datë 17.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Nr.37 (87-2023-172) vendimi, datë 10/08/2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe të vendimit Nr. 00 – 2023 – 2048 i Vendimit, datë 07.12.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, për shkak të cenimit të së drejtës së pronës së kërkuesit dhe të së drejtës për të pasur vendim gyqësor të arsyetuar.
2- Dërgimin e çështjes për rigjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”
Në përfundim të shqyrtimit të ankimit, me vendimin nr. 20, datë 11.04.2025, Gjykata Kushtetuese vendosi:
“1. Pranimin pjesërisht të kërkesës.
2. Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimeve Nr.37 (87-2023-172) vendimi, datë 10/08/2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe Nr. 00 – 2023 – 2048 i Vendimit, datë 07.12.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën, në pjesën që lidhet me sekuestrimin e pasurive:
– Apartament me nr. 7/434+1-1, zona kadastrale 8380, rruga “Reshit Çollaku”, Tiranë.
– Llogari bankare me nr. 44333535101, pranë “Intesa San Paolo Bank”.
– Depozitë nr. 443335DT1Y01, pranë “Intesa San Paolo Bank”.
3. Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar…”
Gjykata Kushtetuese pranoi pretendimin e ankuesit për cenimin e së drejtës së pronës private, në shkelje të standardit kushtetues të arsyetimit të vendimeve gjyqësore. Duke njohur këtë cenim të aspektit procedural të çështjes (par. 55) dhe pasi evidencoi kontradikta të qenësishme në vendimet gjyqësore (par. 50-51), Gjykata Kushtetuese orientoi që në rigjykim çështja e cenimit të pronës private të shihej edhe në aspektin substancial të saj, duke analizuar dhe verifikuar se në ç’masë vlera e pasurisë së sekuestruar i korrespondonte produkteve të veprës penale të përfituara nga kërkuesi, sipas pretendimit të akuzës.
Ky verifikim, sikundër e theksonte Gjykata Kushtetuese, mund të kryhej vetëm nga gjykatat e zakonshme, për shkak të juridiksionit të saj të kufizuar në çmuarjen e provave (par. 54), duke orientuar që cenimi i së drejtës të riparohej nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Gjykata e Posaçme e Apelit e caktoi seancën më 11.06.2025, por seanca nuk u zhvillua për shkak të mungesës së prokurorit Z. Maksuti. Shtyu seancën gjyqësore dhe e shqyrtoi çështjen më 14.06.2025, në prani të palëve, por nuk bëri asnjë përpjekje që të vlerësonte provat në aspektin e parimit të proporcionalitetit, i cili lipset të respektohet në rastin kur cenohet e drejta e pronës private. Shqetësimi i vetëm i Gjykatës së Posaçme të Apelit ishte përmbyllja e procesit brenda afatit 15-ditor nga marrja e akteve që normon neni 249.8 i KPP! Ky shqetësim nuk bënte sens, pasi pas dy vjetësh, i vetmi interes i prekur ishte cenimi i së drejtës së pronës private të kërkuesit, mbrojtja e të cilit nuk kishte asnjë ngutje, por kërkoi verifikim të fakteve dhe hetim gjyqësor të tyre, sipas orientimit të Gjykatës Kushtetuese.
Përkundër kësaj, Gjykata e Posaçme e Apelit, me gjyqtar monokratik Z. Dhimitër Lara (gjykimi i mëparshëm në Apel, me të njëjtin objekt, ishte kryer nga Znj. Igerta Hysi), dëgjoi vetëm pretendimet e mbrojtjes dhe kundërshtimet e prokurorit; ky i fundit, shprehu vetëm dyshimin se i pandehuri “mund te ketë llogari të fshehura” dhe se, për këtë qëllim, prisnin përgjigjen e një letërporosie nga Zvicra.
Gjatë ndërhyrjeve në debat, doli qartë koncepti i asaj Gjykate, se çështja e proporcionalitetit në cenimin e së drejtës së pronës private duhej të vendosej në përfundim të gjykimit të çështjes në themel, në kundërshtim të hapur me orientimin e Gjykatës Kushtetuese.
Pasi u tërhoq, Gjykata lexoi vetëm dispozitivin e vendimit, duke vendosur njëlloj si në gjykimin e mëparshëm para asaj Gjykate – miratimin e vendimit Nr. 296 akti, datë 17.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vendimi i arsyetuar ende nuk është vendosur në dispozicion të palëve./ Syri