Skip to content
Bota

Gjykata e Apelit pezullon vendimin për rinisjen e punës së VOA

· 2 min lexim

Gjykata e Apelit në Uashington ka pezulluar përkohësisht vendimin që urdhëronte rikthimin në punë të gazetarëve të Zërit të Amerikës dhe rifillimin e financimit për transmetuesit ndërkombëtarë të mbikëqyrur nga Agjencia e SHBA-së për Median Globale.

Vendimi u dha më 3 maj, duke u dhënë kohë autoriteteve gjyqësore të shqyrtojnë kërkesat e paraqitura nga Departamenti i Drejtësisë në emër të administratës Trump.

Kari Lake, këshilltarja e lartë për USAGM në kohën e administratës Trump, e përshkroi vendimin si një “fitore të madhe”, ndërkohë që organizata Reporterët pa Kufij dhe një gazetar i VOA njoftuan më herët gjatë ditës se Departamenti i Drejtësisë kishte sinjalizuar se stafi mund të rikthehej në punë gjatë javës në vijim.

VOA u mbyll si pasojë e urdhrit të administratës Trump për të minimizuar veprimtarinë e agjencive mediatike të financuara nga shteti amerikan. Më shumë se 1.000 punonjës u pezulluan dhe rreth 600 kontrata u ndërprenë, duke bërë që për herë të parë që prej vitit 1942, VOA të ndalonte transmetimet.

Në mars, VOA dhe më pas edhe Radio Evropa e Lirë paditën USAGM-në, duke e akuzuar për veprime të paligjshme që synonin ndërprerjen e financimeve të miratuara nga Kongresi. REL kërkoi ndërhyrje për të shmangur “dëme të pariparueshme”.

Një vendim paraprak i një gjykate federale kishte urdhëruar USAGM-në të lëshonte fondet për muajin prill për REL-in, por më 2 maj, Apeli vendosi të pezullojë zbatimin e këtij vendimi derisa të shqyrtohen pretendimet e paraqitura nga pala qeveritare.

USAGM është një agjenci e pavarur që mbikëqyr një rrjet transmetuesish të SHBA-së, përfshirë VOA dhe REL, të cilët transmetojnë në rreth 50 gjuhë dhe arrijnë më shumë se 360 milionë njerëz në javë./ REL