Ditën e djeshme, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj propozoi njohjen e gjuhës së minoriteteve apo pakicave kombëtare në Shqipëri.
Lleshaj ka përgatitur draft-projektin që pritet t’i dërgohet Kuvendit për diskutim, por propozimi bëhet për ato raste ku komuniteti përbën 20 për qind të popullsisë.
Sipas këtij projekti, shteti shqiptar planifikon që të njohë zyrtarisht gjuhën e minoriteteve në zyrat e pushtetit vendor, aty ky personat që i përkasin kësaj pakice kombëtare, përbëjnë 20% të numrit të përgjithshëm të popullsisë.
Nga ana tjetër me kërkesë të minoriteteve edhe tabelat, të cilat deri më tani janë cilësuar si të paligjshme, do të jenë në dy gjuhë.
Ne Ligjin 96/2017, per “Perdorimin e gjuhes” thuhet: “Me vendim të organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore, ku mbi 20 për qind e banorëve u përkasin pakicave kombëtare, kur ka një kërkesë të mjaftueshme prej tyre, emërtimet e njësive administrative përkatëse, të rrugëve dhe të treguesve të tjerë topografikë, krahas gjuhës shqipe, shfaqen dhe në gjuhën e pakicës përkatëse, sipas parashikimeve ligjore për vetëqeverisjen vendore”.
Kërkesa do të shqyrtohet brenda 60 ditëve që nga dita e paraqitjes në njësinë bazë të qeverisjes vendore.
Nga ana tjetër, historiani i njohur Pëllumb Xhufi, e ka cilësuar projektvendimin e Ministrisë së Brendshme si një veprim të qeverisë në dëm të interesave kombëtare.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Xhufi shprehet se nisma të tilla janë rezultat i presioneve që vijnë nga Greqia.
Kjo e fundit madje, shprehet Xhufi, “ka deklaruar edhe me gojën e politikanëve të saj më të lartë, se Shqipëria nuk do të futet në Europë pa realizuar më parë axhendën nacionale greke. Dhe dihet se cila është axhenda greke për Shqipërinë”.
“Është hileja e radhës që një qeveri shqiptare bën në dëm të interesave shqiptare. Projektvendimi hiqet sikur merret me çështje teknike të përbërjes apo të procedurave që do të duhet të ndjekë ai Komision.
Zakonisht, në të tilla iniciativa ligjore, hileja qëndron në fund (in coda venenum). Kësaj radhe qeveria është aq shumë e bindur në përgjumjen e qetësinë olimpike të qytetarëve shqiptarë, saqë “helmin” e ka hedhur qysh në paragrafin e parë të këtij projektvendimi.
Aty, fare pa lidhje me paragrafët e tjerë “teknikë” të tij, sanksionohet që një grup prej 300 qytetarësh shqiptarë kanë të drejtë të kërkojnë njohjen e statusit të pakicës kombëtare.
Duhet të jesh sylesh ose ndërgjegjeprishur të mos duash të kuptosh se pikërisht tek ky paragraf “dobiç” fle lepuri. Paragrafët e tjerë “teknikë”, me të cilët janë marrë aq seriozisht disa Ministri e agjenci shtetërore që kanë paraqitur sugjerimet e tyre “të vyera”, janë tjerrje fjalësh për të fshehur pikërisht “dobiçin”, d.m.th. nenin e parë që sanksionon të drejtën e 300 qytetarëve për të kërkuar statusin e pakicës kombëtare.
Më duket cinike që një nismë e tillë kryhet me anë të një dokumenti ligjor të shkallës më të ulët (“vendim”), kur çështje të tilla me rëndësi dramatike duhet të kalojnë me ligj të Parlamentit, është shprehur historiani Pëllumb Xhufi në intervistën e tij.