Skip to content
Politikë

GJKKO jep dënimin për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako

· 2 min lexim

Ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, është dënuar me 4 vite burg nga Gjykata e Posaçme e Krimeve të Rënda, për akuzat e korrupsionit dhe abuzimeve me detyrën. Dënimi i tij është shkurtuar  në 2 vjet e 8 muaj, pasi Dako ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar pas pranimit të akuzave.

Njëri nga rastet që përfshin ish-kryebashkiakun Vangjush Dako lidhet me ndërtimin e një pallati në Durrës, 11 vite më parë, i cili u shemb gjatë tërmetit të vitit 2019.

Ndërsa rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, ku ka rezultuar se buxhetit të shtetit iu shkaktua një dëm prej 18 milionë lekë.

Vangjush Dako u arrestua në qershor të vitit 2023 me urdhër të SPAK, por më vonë, në shkurt 2024, u la i lirë, pasi Prokuroria e Posaçme nuk arriti të përfundonte hetimet brenda afateve ligjore.

Ndërsa në korrik të këtij viti, GJKKO pranoi kërkesën e Dakos për gjykim të shkurtuar, një mundësi ligjore që i mundësoi atij të përfitonte një ulje të dënimit.

Kjo është një tjetër zhvillim në hetimin dhe procesin gjyqësor për ish-kryebashkiakun e Durrësit, që ka qenë nën hetim për përfshirje në skandale të korrupsionit gjatë periudhës që ka ushtruar detyrën.

Ndërkohë Fiqiri Farruku, Ardian Bulku dhe Fatmir Ejupi u dënuan me nga 2 vite burg, por gjykata ka vendosur pezullimin e dënimit me burg për të 3.