Skip to content
Kronikë

Gjici kërkon arrest shtëpie, gjykata thërret mjekët, ja kur do të mbahet seanca

· 2 min lexim

Në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan është zhvilluar seanca për ish-kryebashkiakun e Kukësit, Safet Gjici, i cili ka kërkuar të vuajë dënimin në shtëpi për shkak të problemeve shëndetësore.

Gjykata ka vendosur të thërrasë ekspertët mjeko-ligjorë për të verifikuar gjendjen shëndetësore të pretenduar nga Gjici.

Seanca e radhës, ku do të paraqiten mjekët për të dhënë vlerësimet e tyre, është caktuar për datën 14 nëntor, në orën 11:45.

Ish-kryebashkiaku i Kukësit është i dënuar me 3 vjet burg për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, ndërsa ka ende për të shlyer 1 vit e 2 muaj dënim. Në kërkesën e tij drejtuar gjykatëses Suela Lika, avokati i Gjicit kërkoi që ai të qëndrojë në shtëpi bazuar në nenin 59/a, pika C të Kodit Penal, që parashikon mundësinë e dënimit shtëpiak për personat që kanë mbetur me më pak se 2 vite dënim dhe kanë probleme shëndetësore.

Gjici aktualisht është i hospitalizuar në një spital privat për shkak të problemeve të rënduara shëndetësore, përfshirë çrregullime të sistemit kardiovaskular, zmadhim të aortës dhe diabet të formës së rënduar.

Avokati i tij ka theksuar se këto probleme shëndetësore janë përkeqësuar nga gjendja e tij psikologjike gjatë qëndrimit në burg.