Skip to content
Kronikë

Gjakmarrja në Lezhë, ja si adoleshenti planifikoi vrasjen e fqinjit

· 2 min lexim

Një vrasje për hakmarrje ka ndodhur para 2 ditëve në Lezhë, në fshatin Manati. Autor i vrasjes është 17-vjeçari Florian Pervathi, i arrestuar tashmë nga policia, vrau në oborrin e shtëpisë Lek Lekgjonajn, 65-vjeç. Vëllai i 65-vjeçarit, Ndue Lekgjonaj ka vrarë në vitin 2009, babain e të miturit, Gjon Pervathin.

Ndërkohë kanë dalur në dritë detaje të reja lidhur me vrasjen  për gjakmarrje në Manati të Lezhës mesditën e të hënës, 24 janar.

Mësohet se 17-vjeçari Florian Përvathi e kishte thurur prej kohësh planin për vrasjen e fqinjit të tij Lek Lekgjonaj, vëllai i të cilit 13 vite më parë i kishte vrarë të atin.

Adoleshenti ka deklaruar në polici se ishte pajisur me armë prej të paktën 1 viti, por pa treguar se si e kishte siguruar pistoletën me mulli me të cilën kreu vrasjen.

Drejtësia e cilësuar e munguar, sipas pajtuesit të gjaqeve u bë shkak që hasmëria mes dy familjeve mos mbyllet dhe solli një tjetër krim 13 vite më pas.

Të hënën, Lek Lekgjonaj ishte rikthyer në shtëpinë e vjetër, ku Florian Prevathi e qëlloi me katër plumba pistoletë. Pas krimit, shkoi dhe u dorëzua vetë në policinë e Lezhës bashkë me armën.

17-vjeçari deri më tani nuk ka treguar si e siguroi pistoletën me të cilën vrau fqinjin ashtu sikurse nuk ka dhënë detaje kush e dërgoi në Polici.  Ndaj në vijim pritet të merret sërish në pyetje para se të dalë para drejtësisë me akuzën e vrasjes për gjakmarrje.