Skip to content
Kryesore

“Gërdeci”/ Shtyhet seanca ndaj Fatmir Mediut, ish-ministri mungon në gjyq

· 3 min lexim

Është duke u mbajtur këtë të mërkurë në Gjykatën e Posaçme, seanca e radhës për çështjen Gërdeci, ku ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, nuk ka qenë i pranishëm. Përveç Mediut, mungonte dhe avokati i tij mbrojtës Ardian Visha, ndërsa në seancë ishte vetëm avokati tjetër Henrik Ligori.

Prokurori Klodian Braho kërkoi që të vazhdojë seanca në mungesë të ish ministrit Mediu, gjë e cila u pranua nga gjyqtarja e çështjes Irena Gjoka. Kjo e fundit vendosi që Mediu të mbrohej në seancën e sotme vetëm nga avokati Ligori.

Gjykata relatoi që në sekretarinë e gjykatës janë paraqitur pyetjet me shkrim për ekspertët, në total 113 pyetje. Ndërkohë në seance nuk është paraqitur një nga ekspertët, Ymer Stafa, i cili kishte njoftuar gjykatën se kishte probleme shëndetësore.

Prokurori Klodian Braho: Nuk ka raport mjekësor për ekspertin që mungon dhe gjendja e tij shëndetësore nuk e pengon që të jetë në seancë. Eksperti të thirret në gjykatë dhe të japë mendimin e tij. Ekspertët të marrin edhe pyetjet e reja dhe të formulojnë një dokument të vetëm. Të kemi edhe ne një kopje të pyetjeve që të jemi të përgatitur në seancë. Ekspertët te marrin kohen e nevojshme

Avokat Henrik Ligori: Është e domosdoshme prania e ekspertit të 5, duhet të gjithë për tu përgjigjur. Të marrin kohën e nevojshme që të realizohet përgjigjja e të gjithëve.

Në seancën e javës së kaluar për çështjen Gërdeci, pati një përplasje mes avokatëve të ish-ministrit të Mbrojtjes dhe gjyqtares së GJKKO, Irena Gjoka. Debatet agravuan deri në pikën që Gjoka urdhëroi përjashtimin e një prej dy avokatëve të Mediut, Ardian Visha për të dalë nga salla.

E gjitha nisi me marrjen në pyetje të 5 ekspertëve: Bexhed Zeqiri, Ymer Stafa, Rasim Metallari, Latif Cela, Mondi Hoxha, të cilët kanë përcaktuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga shpërthimi i 15 marsit 2008.

Gjatë seancës në GJKKO, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu pyeti ekspertët se cila është përgjegjësia e tij. Pyetje kanë bërë edhe avokatët e Mediut, Henrik Ligori dhe Ardian Visha, por ky i fundit ka pasur edhe përplasje me gjyqtaren Irena Gjoka. Në një moment debati është zhvilluar edhe mes prokurorit të SPAK, Arben Kraja dhe avokatit Ardian Visha. Ish-drejtuesi i SPAK i kërkoi avokatit që të mos bëjë ngritje provokuese. Pavarësisht paralajmërimeve, avokati vazhdoi me pyetjet, derisa Gjoka e përjashtoi nga salla.