Nuk ka përmbledhje më të saktë për atë që po ndodh sot, në Shqipërinë që lufton me ujërat, me dëmet, me humbjet dhe me braktisjen totale nga ai që duhej të ishte i pari në terren. Vendin e kanë mbuluar përmbytjet, njerëzit po nxjerrin ujin me kova nga dhomat e gjumit, bagëtitë kanë ngordhur nën rrjedhën e lumenjve të fryrë, një grua humbi jetën në Korçë, shtëpi të ndërtuara me sakrificat e një jete janë kthyer në rrënoja, rrugët janë shkatërruar dhe dhjetëra familje kanë mbetur nën qiell të hapur. Shqipëria është nën ujë.
Dhe në këtë pikë kritike, Edi Rama bën atë që di të bëjë më mirë: i hap krahët si lejlek shtegtar dhe fluturon jashtë vendit.
Jo drejt zonave të goditura.
Jo pranë njerëzve që kanë humbur gjithçka.
Jo në krye të qeverisë që ka detyrimin të menaxhojë emergjencën.
Por drejt Katarit. Në tapetin e kuq. Në një event mode. Të pozonte. Të komentonte veshje luksoze. Të shijonte skenën e botës glamur, ndërsa këtu çdo ditë hapet me lot, baltë dhe dëshpërim.


Pikërisht tani, në momentin më të keq të infrastrukturës shqiptare, pjesa më e rëndësishme dhe më e korruptuar e qeverisë së tij, ish ministrja e Infrastrukturës dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, është pezulluar nga detyra nga GJKKO dhe po hetohet nga SPAK. Ajo që firmoste, ajo që menaxhonte, ajo që garantonte, ajo që premtonte. Ajo që mbronte veprat me miliona euro që sot janë shembur, çarë, zhdukur, fundosur nën ujë. Aferë pas afere, shkelje pas shkeljeje, tender pas tenderi.
Në fund, Balluku u pezullua. Por nuk bie vetëm ajo. Sepse kur dridhet Balluku, dridhet edhe Rama. Në këtë qeveri, fijet janë të lidhura aq ngushtë sa kur tërhiqet njëra, tjetri e ndjek nga pas.
Për të ardhur turp që në vend që të rikthehet me urgjencë për të mbledhur qeverinë, për të parë dëmet, për të takuar familjet e goditura, për të dhënë llogari për shembjet e projekteve shumëmilionëshe, Rama preferon vallet e tapetit të kuq. Preferon xixat e fustaneve të Katarit. Preferon luksin e huaj, ndërsa vendi i tij fundoset.
Ky është modeli që kemi parë për vite të tëra. Rama fluturon sa herë duhet të japë llogari. E kemi quajtur shpesh lejleku shtegtar, dhe nuk ka metaforë më të saktë: sapo vjen koha e përgjegjësisë, ai hap krahët e zhduket. Dhe jo vetëm që zhduket, por e bën me paratë tona. Fluturon me paratë tona. Jeton luksin me paratë tona. Pozon me paratë tona. Ndërkohë që qytetarët në Shkodër zhvendosin mobiljet e lagura, fshatarët në Korçë numërojnë bagëtitë e mbytura, fermerët në Lushnje qajnë serat e humbura dhe familjet në Gjirokastër hapin dyert e shtëpive të shkatërruara.
Kjo qeveri ka dështuar moralisht, politikisht dhe praktikisht. Dhe në krye qëndron një kryeministër që në mes të katastrofës nuk gjen dot udhën për në zonat e përmbytura, por gjen me sy mbyllur udhën për në Katar. Një kryeministër që e sheh Shqipërinë nga qielli, gjithmonë nga dritarja e avionit, gjithmonë larg baltës ku i janë zhytur qytetarët e tij.
Fshati përmbytet.
Rama fluturon.
Dhe Shqipëria paguan.







