Fredi Beleri merr leje, do betohet si eurodeputet në Parlamentin Europian

Fredi Beleri do të betohet si eurodeputet. Të paktën kështu raporton këtë të premte media greke, Protothema. Sipas saj, Belerit i është dhënë drita jeshile nga Drejtoria e Burgjeve dhe autoritetet shqiptare dhe se ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës do të udhëtojnë drejt Athinës të hënën. Pas një ndalese tranzit do të niset drejt Strasburgut për tu betuar si europdeputet i partisë Demokracia e Re, e kryeministrit grek Kyriakos Moitsotakis.
“Pas presioneve dhe kundërshtimeve nga autoritetet shqiptare, Fredi Beleris mori lejen për të shkuar në Strasburg dhe për t’u betuar si deputet i Parlamentit Evropian. Ai do të fluturojë mëngjesin e së hënës për në Athinë, i cili do të jetë një stacion i ndërmjetëm dhe nga Athina do të shkojë në Strasburg. Ai pritet të mbërrijë në Eleftherios Venizelos në orën 12.30”, shkruan Prothema.
Beleri ka marrë 235 mijë vota duke u renditur i katërti mes 7 deputetëve që kanë dalë nga partia Demokracia e Re e kryeministrit grek Mitsotakis. Beleri u dënua me 2 vite burg në Shqipëri pasi u kap duke blerë vota në zgjedhjet vendore të 2023. Çështja ndaj tij ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar në Apelin e Posaçëm, ndërkohë që mes përplasjeve të brendshme në parti, Mitsotakis vendosi që ta fuste në listën e kandidatëve për eurodeputetë.