FOTO/ Tragjedi në Dibër. Një prej tre minatorëve të Balgjajt ka humbur jetën. Ka shembje masive, vazhdojnë kërkimet…

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Tre punëtorë të minierës “Balgjaj” në Dibër kanë humbur kontaktet me familjen e tyre mbrëmjen e sotme, pasi kanë mbetur të bllokuar brenda galerisë. Policia njoftoi se në orën 18:15, është njoftuar nga familja e inxhinierit që nuk kishte kontaktuar me familjen prej orësh të tëra, dhe kanë nisur kërkimet.

Sami Hoxha, vëllai i njërit prej të zhdukurve, Ismail Hoxha, me profesion inxhinier, ka dhënë alarmin për këtë ngjarje të rëndë.

Ai ka rrëfyer para policisë se, i vëllai, bashkë me dy punëtorë të tjerë, nuk ishin kthyer në shtëpi ditën e sotme, dhe kanë humbur kontaktet prej orësh të tëra.

Policia ka mbërritur në ambientet e minierës, por dyert e galerisë i ka gjetur të mbyllura.

Ndërsa sendet e inxhinierit 62-vjeçar dhe të dy punëtorëve të tjerë, bashkë me celularët e tyre, i kanë gjetur të paprekura në dhomën e ndërrimit.

Pas më shumë se pesë orësh kërkime, grupet e avari-shpëtimit kanë krijuar kontakt me një prej minatorëve, por fatkeqësisht, kishte ndërruar jetë. Nuk dihet nëse i ndjeri është inxhinieri Hoxha, apo një nga dy punëtorët e tjerë.

Familjarë, miq e të afërm, janë mbledhur në dhomën e ndërrimit e teksa mbajnë në duar sendet personale të punëtorëve të zhdukur, presin ndonjë lajm të mirë për dy shokët e tjerë.

Kryetari i bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, u shpreh se, nga informacionet e para që ka në minierën e Balgjajt ka një shembje masive. Lajm ky, që e rëndon situatën në Dibër. Kërkimet vijojnë ende.

“Nuk kemi informacione shumë të sakta, po presim grupet hetimore, ka një shembje masive në minierë”,- tha ai.

Fotot që po shikoni vijnë nga miniera e “Balgjatit”, në Dibër, aty ku është dhënë alarmi për zhdukjen e tre punëtorëve mbrëmjen e sotme, ndërkohë që është raportuar se njëri ka vdekur.

Mësohet se pak orë pasi autoritetet ishin vënë në kërkim të tre punëtorëve të zhdukur në minierën e “Balgjatit”, njëri prej tyre ka vdekur, nga asfiksia.

/GazetaReforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento