Skip to content
Kryesore

Foshnja e porsalindur humbi jetën/ Zbardhet dinamika e plotë, prindërit akuzë mjekut gjinekolog

· 2 min lexim

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, ku një foshnje e porsalindur ka humbur jetën pak ditë pas lindjes, duke ngritur dyshime të forta për neglizhencë mjekësore.

Prindërit e fëmijës kanë kallëzuar penalisht mjekun Kastriot Dallaku, i cili ndodhej në detyrë në momentet vendimtare për shtatzëninë.

Sipas kallëzimit të bërë në Komisariatin Nr. 1 nga babai 34-vjeçar, ai dhe bashkëshortja kishin ndjekur rregullisht të gjitha kontrollet para lindjes deri të enjten e kaluar. Të nesërmen, e reja ndjeu që foshnja nuk po reagonte si zakonisht dhe, pas një telefonate me mjekun që e kishte ndjekur gjatë shtatzënisë, u udhëzuan të paraqiteshin në maternitet për kontrolle të mëtejshme.

Në turn ndodhej mjeku Dallaku, i cili, sipas dëshmisë së familjes, kreu vetëm një grafi të shkurtër për të monitoruar rrahjet e zemrës së fetusit dhe e siguroi çiftin se gjithçka ishte në rregull, duke i këshilluar të ktheheshin në shtëpi.

Babai ka deklaruar se kishte kërkuar një kontroll të hollësishëm për ujin amniotik, pasi kishte ndjesinë se diçka nuk po shkonte, por kjo nuk u realizua.

Situata u përkeqësua të shtunën kur gruaja shfaqi temperaturë të lartë. Ajo u rikthye në maternitet, ku menjëherë iu nënshtrua një lindjeje cezariane urgjente. Foshnja lindi në gjendje kritike, u intubua dhe u dërgua në reanimacion, por, pavarësisht ndërhyrjes së stafit mjekësor, humbi jetën dy ditë më pas si pasojë e insuficiencës multiorganore.

Policia dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për të sqaruar nëse janë ndjekur protokollet mjekësore dhe për të përcaktuar nëse ka përgjegjësi penale në këtë rast tragjik.