Vrasja e rëndë e 22-vjeçares shqiptare, Ilaria Sula, vijon të tronditë opinionin publik në Itali, ndërsa çdo ditë dalin në dritë detaje të reja nga hetimet që po zgjasin prej dy javësh.
Një nga zbulimet më të fundit lidhet me mesazhet që autori i dyshuar i krimit, Mark Samson i dashuri i viktimës i ka dërguar shoqes së ngushtë të Ilarias, duke tentuar të mashtrojë dhe të fshehë gjurmët e vrasjes.
Në komunikimet e zbuluara, Samson përpiqej të krijonte idenë se Ilaria ishte larguar me një djalë tjetër, duke pretenduar se ajo kishte vendosur të kalonte natën me të. Por kur Maria Sofia, shoqja e ngushtë e vajzës, nisi të dyshonte, ai ndërpreu çdo kontakt dhe hodhi telefonin, për të humbur gjurmët.
“U takuam këtë mëngjes jashtë Sapiencës dhe më pyeti nëse do të dilja me të. Do fle në shtëpinë e tij sot”, shkruhej në mesazhe.
Për ta bërë mashtrimin më të besueshëm, në orën 19:42, Samson dërgon një foto të një gjysmë të zhveshur, duke ngjallur kuriozitetin e shoqes: “O Zot, atëherë? E bëtë?”, dhe Samson shkruan nga telefoni i Ilarias: “Po, kam bërë një marrëzi”. Kur mikesha e saj e pyeti se ku ndodhet, Samson u përgjigj: “Nuk kam dëshirë ta them Sofi, dua të ndihem e lirë në çdo kuptim, pa pasur dikë që të më pyesë ku jam”.
Kur iu kërkua lokacioni, Samson shkruajti: “Nuk mundem, e dashur, më fal. Jam pothuajse në Napoli”. Maria Sofia është e shqetësuar: “Ok, bëj si të duash, nuk po të gjykoj nëse ke shkuar në Napoli, por sigurisht nuk do ia tregoj te Markut. Sepse më ka ndodhur edhe mua një herë të shkoj në shtëpinë e dikujt, dhe po të ndodhte diçka, do të isha në merak të madh”. Samson iu përgjigj: “Nëse jam në hall, mund ta zgjidh vetë.”
Koha kalon dhe nuk ka ende lajme për Ilarian. Maria Sofia e telefonon disa herë, por vajza nuk përgjigjet: “Ilaria, më ka telefonuar mamaja jote, po thirr policinë”.
Në mesditë, Samson përgjigjet në emër të vajzës: “Të lutem, e harrova fare që duhet të shkoja në Terni. Nuk jam në Romë”. Përgjigja nuk e bind Maria Sofian, e cila kërkon konfirmim: “Nuk kam besim, duhet të dëgjoj nga ti, duhet të të shoh. Tani!”, ndërsa Samson nga ana e tij shpik justifikime të reja: “Mikrofonin nuk e kam funksional, telefoni më ra në ujë.”
Manipulimet e tij nuk ndaluan me kaq. Më 31 mars, kur lajmi i zhdukjes mori dhenë, ai hyri në profilin e Ilarias në Facebook dhe postoi: “Faleminderit të gjithëve, jam mirë”, duke u përpjekur për herë të fundit të mashtronte hetuesit dhe opinionin publik.
Kjo ishte tentativa e fundit për të mashtruar hetimet, para se të gjendej trupi dhe të vinte e vërteta, që erdhi në natën mes 1 dhe 2 prillit.