Pak ditë më parë, Altin Mecaj përfundoi në spital, duke deklaruar se ishte dhunuar nga tre persona në oborrin e banesës së tij në Fier. Ai akuzoi si autorë punonjës policie dhe konkretisht Fredi Lamaj, duke pretenduar se shkak i konfliktit ishte një koment i tij në Facebook drejtuar motrës së Lamajt.
Të premten, motra e Fredi Lamajt reagoi publikisht duke hedhur poshtë akuzat e Mecajt dhe duke publikuar mesazhe private që, sipas saj, provojnë se nuk bëhej fjalë për një koment apo “like”, por për ngacmime dhe përndjekje të vazhdueshme. Ajo thekson se vëllai i saj nuk ka qenë i përfshirë në asnjë konflikt apo rrahje dhe se kjo mund të faktohet.

“Unë jam motra e Fredi Lamaj dhe dua të sqaroj se akuzat e shtetasit Altin Mecaj, sikur vëllai im e ka dhunuar, nuk janë të vërteta. Fredi Lamaj nuk ka marrë pjesë në asnjë rrahje apo konflikt, dhe kjo mund të faktohet. Po flas sepse prej më shumë se 6–7 ditësh ky shtetas po del vazhdimisht në media, duke dhënë deklarata të pavërteta dhe duke u paraqitur padrejtësisht si viktimë. Në mënyrë të veçantë, ai ka deklaruar publikisht se ndaj meje ka bërë vetëm një koment në Facebook, si një kompliment, gjë që nuk është e vërtetë. Në realitet, unë kam qenë subjekt i mesazheve të shumta private, të vazhdueshme dhe insistuese, të cilat përbëjnë ngacmim dhe përndjekje”, deklaron ajo.
Në mesazhet e publikuara, Mecaj i drejtohet asaj me emrin “Fize”, duke përdorur shprehje të papërshtatshme. Sipas saj, ajo nuk ka kthyer asnjë përgjigje dhe komunikimi ka qenë i njëanshëm. “Dua të theksoj qartë se nga ana ime nuk ka pasur asnjë përgjigje ndaj këtyre mesazheve. Nuk kam komunikuar dhe nuk kam pasur mundësi t’i kthej as përgjigjen e merituar, pasi Facebook nuk më lejonte t’i shkruaja, çka e bën edhe më të qartë faktin se komunikimi ka qenë i njëanshëm dhe i padëshiruar. Këto sjellje më kanë shkaktuar shqetësime serioze emocionale dhe familjare, si për mua, ashtu edhe për familjen time”.
Ajo bën me dije se ka bërë kallëzim penal ndaj Altin Mecajt për përndjekje dhe shton se, sipas informacioneve të marra nga persona të ndryshëm, këto sjellje nuk janë të izoluara, por të përsëritura edhe ndaj vajzave të tjera.
Nga ana tjetër, Mecaj ka deklaruar më herët se më 10 janar ka marrë një mesazh kërcënues nga Fredi Lamaj. “Në orën 11 që kam arritur në shtëpi janë fikur dritat, unë jam thirrur në emër për të dalë jashtë dhe unë dalë dal në derë aty më qëllon direkt pa një pa dy edhe më përsërit ato të mesazhit. Ishin të paktën tre persona”, ka deklaruar ai. Mecaj ka shtuar se është i gatshëm të kërkojë falje nëse ka gabuar, por ka kërkuar që dhuna të mos përsëritet dhe të vihet drejtësia në vend.
Ngjarja mbetet në hetim, ndërsa palët kanë paraqitur versione të kundërta mbi shkaqet dhe rrethanat e incidentit.







