Financimet ruse, Basha merret i pandehur nga Prokuroria

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kreu i PD, Lulzim Basha, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Tiranës, në lidhje me financimet ruse në SHBA, për zgjedhjet e 2017-ës

Organi i akuzës, ka kopsitur dosjen dhe e ka dërguar në gjykatë.

Sipas “Report Tv”, vepra penale për falsifikim dhe fshehje te financimeve, i është komunikuar Bashës një ditë më parë nëpërmjet avokatit të tij, Ivi Kaso.

Kryedemokrati akuzohet se ka fshehur 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën elektorale të 2017-ës.

Gjithashtu të pandehur janë marrë edhe ish-sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani dhe financieri i PD, Ilir Dervishi.

Basha është thirrur edhe më parë në Prokurorinë e Tiranës më 25 mars, ku dëshmoi për rreth 1 orë.

Organi i akuzës deklaronte se një nga kompanitë që ka bërë pagesën është “Biniatta Trade”.

Kjo kompani rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është pjesë e një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, shtet ky i njohur si parajsë fiskale.

“Biniatta Trade LP” është krijuar nga partneriteti i “Asverro Corp” dhe “Liminez Commerce”.

Pronaret e “Biniatta Trade” janë Victorya Valkovskaya dhe Natasha Radysheva, të dy shtetase ruse.

Në kodin penal, falsifikimi dhe fshehja e financimeve, sanksionohen respektivisht me 3-7 vjet dhe 10 vjet burg.

Kujtojmë këtu se më 14 nëntor 2017, “Stonington Strategies” raportoi në Departamentin e Drejtësisë, se ka marrë dy pagesa nga PD me vlerë 500 mijë dollarë dhe një tjetër nga “Biniatta Trade” me vlerë 150 mijë euro.

Asnjëra nga këto pagesa nuk është deklaruar në raportin financiar të PD, çka ngre dyshime të forta për burimin e tyre.

Po në të njëjtën periudhë, PD ka lidhur kontratë me vlerë 150 mijë dollarë edhe me kompaninë lobiste “Barnes and Thonburg LLP”.

Shpërndaje
Share.

Komento