Skip to content
Kryesore

FAST Albania arreston shtetasin malazez, akuza

· 1 min lexim

Një tjetër operacion ndërkombëtar i suksesshëm është finalizuar falë bashkëpunimit të strukturave të specializuara për kapjen e personave në kërkim.

FAST Albania, në bashkëpunim me rrjetin europian ENFAST dhe homologët në Spanjë dhe Mal të Zi, ka luajtur një rol kyç në lokalizimin dhe arrestimin e një personi me rrezikshmëri të lartë.

I dyshuari, një 43-vjeçar me inicialet D. F., u ndalua nga autoritetet spanjolle pas një shkëmbimi informacioni në kohë reale mes FAST Albania, FAST Spain dhe FAST Montenegro.

Ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet e Malit të Zi për përfshirje në një organizatë të strukturuar kriminale, e angazhuar në trafikun e lëndëve narkotike.

Gjykata e Podgoricës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” që në prill të këtij viti, por fshihej jashtë vendit. Ndërhyrja e kordinuar mes vendeve partnere mundësoi lokalizimin dhe ndalimin e tij në territorin spanjoll.

Ky arrestim konsiderohet një goditje ndaj rrjeteve kriminale që operojnë ndërkombëtarisht dhe një dëshmi e efektivitetit të bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të vendeve anëtare të ENFAST.