I shumëkërkuari i policisë Ervis Martinaj është denoncuar në polici nga familjarët të cilët janë shprehur se kanë humbur kontaktet me të. Kallëzimi është bërë ditën e djeshme nga Faik Martinaj, xhaxhai i 40 vjeçarit. Burime për gazetaren Klodiana Lala thanë se xhaxhai i Martinaj pretendon se nuk ka asnjë kontakt me nipin e tij, ndonëse Ervis Martinaj është për momentin një prej njerëzve më të kërkuar nga policia shqiptare, i shpallur dhe në kërkim ndërkombëtar.
Martinaj është në kërkim pasi sipas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani kishte urdhëruar vrasjen e Endrit Dokles, atentat që nuk u realizua.
Kallëzimi vjen pak kohë pas 2 masakrave të ndodhura në zonën Fushë-Krujë dhe Laç ku u masakruan me plumba brenda pak ditëve 5 persona. Në ngjarjen e parë mbeti i vrarë kushëriri i tij Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha për të cilët nuk pati mëshirë nga atentatorët të cilët iu dogjën dhe trupat. Atentati i rradhës në Laç ku plumbat shpuan dhe blindën duke vrarë Klisman Preçin dhe duke plagosur Ylli Ibrahimin.
Policia ka dështuar në disa aksione për arrestimin e Ervis Martinaj. Ndërkohë që në lidhje me pretendimin e familjes nuk dihet nëse është një inskenim nga ana e të shumëkërkuarit apo mund të jetë përpara një tjetër ngjarje të rëndë kriminale.