Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha se Serbia do të kundërshtojë lobimin që pritet të nisë nga Turqia për njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Sipas ‘Gazetës Express’, Vuçiç pati një vizitë në manastirin Manasi, aty ku u pyet në lidhje me deklaratën e Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, të para disa ditëve ku tha se do të intensifikojë lobimin për pavarësinë e Kosovës.
Vuçiç tha se do të fliste personalisht me Erdogan, ndërkohë që shtoi se deri më 1 shtator sipas Marrëveshjes së Washingtonit palët nuk mund të lobojnë për njohje ose për çnjohje të Kosovës.
“Unë do të përpiqem të flas me të. Deri më 1 shtator, sipas marrëveshjes së Ëashingtonit, të dy palët detyrohet të mos lobojnë për njohje ose çnjohje. Nëse ata fillojnë aksionin e njohjes nga 1 shtatori, ose ndoshta para kësaj, ne do ta kundërshtojmë atë”.
Më tej, Vuçiç u shpreh se Serbia do të përpiqet që ta kundërshtojë këtë lobim nga anë e Turqisë, duke shtuar se Erdogan është shumë i fuqishëm mirëpo shpreson që të zbutet.
“Serbia nuk është aq e vogël sa që nuk do të përpiqej të kundërshtonte, Na mbetet të luftojmë për vendin dhe popullin tonë. Ne nuk kemi atdhe rezervë, kështu që do të shohim.
Erdogan është shumë i fuqishëm, ne nuk jemi, dhe shpresoj se ai do të zbutet. Nëse ai nuk zbutet, ne do të luftojmë për vendin tonë. Dhe nga Zoti, ju do të shihni se ne nuk jemi aq të vegjël sa kam thënë”, tha Vuçiç.