Skip to content
Të Gjitha

Energjia/ Mosmarrëveshjet Kosovë-Serbi mbajnë ‘peng’ interkoneksionin me Shqipërinë. Ja sa milionë janë humbjet  

· 3 min lexim

Pavarësia ekonomike dhe sidomos ajo energjetike për një shtet është mjaftë e rëndësishme, sado i zhvilluar ekonomikisht të jetë ai.

Kjo gjë është edhe më e rëndësishme për shtete të vogla si këto të rajonit të Ballkanit, e sidomos për Kosovën dhe Shqipërinë.

Pikërisht vendi ynë, mori disa vite më parë një kredi jo të vogël për ndërtimin e njërës prej “autostradave energjetike” më të rëndësishme, atë të linjës së interkonjeksionit me Kosovën.

Deri tani Shqipëria ka shlyer më shumë se gjysmën e kredisë prej 42 milionë eurosh, që mori për ndërtimin e kësaj linje e cila do të niste të garantonte pavarësi energjetike nga rrjeti ndërkombëtar i Ballkanit që komandohet nga Serbia në Nish.

Por ende linja e interkoneksionit Shqipëri-Kosove, nuk është vënë në punë edhe pse investimi ka përfunduar.

Mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë bërë që investimi i përfunduar prej më shumë se tre vitesh, të mos shfrytëzohet për shkëmbimin e energjisë ndërmjet dy shteteve, teksa taksapaguesit shqiptarë po paguajnë çmimin e investimit.

Disa herë është sinjalizuar se Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen, por ende linja nuk ka nisur të funksionojë.

Kredia për investimin

Qeveria e Shqipërisë në vitin 2009 nënshkroi marrëveshjen e kredisë 42 milionë euro me bankën gjermane “KfW”, për të fuqizuar kapacitetet e shkëmbimit të energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, me ndërtimin e një linje të re interkoneksioni.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, deri në shtator 2020, ishin shlyer 22 milionë euro nga kredia, teksa stoku i mbetur është edhe 20 milionë euro të tjera. Pjesa e mbetur do të shlyhet deri në vitin 2024.

Linja e transmetimit Shqipëri-Kosovë, u ka kushtuar financave të dy shteteve rreth 70 milionë euro. Projekti ka përfunduar dhe duhet të niste nga puna gjatë vitit 2016, por sot e kësaj dite nuk është vënë në punë.

Sipas zhvillimeve të deritanishme, linja e transmetimit të energjisë, Shqipëri – Kosovë, është çështje e komplikuar teknike dhe politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila pritet të zgjidhet me ndërhyrjen e institucioneve europiane rregullatorë të energjisë.

Humbjet nga mosfunksionimi

Humbjet vjetore nga të ardhurat e munguara nga mosfunksionimi i linjës për Shqipërinë janë 500 mijë – 1 milion euro në vit, në varësi të volumeve të tregtimit. Por më e keqja është se mosfunksionimi i kësaj linje, pengon seriozisht funksionimin e tregut ballkanik të transmetimit.

Nga ana tjetër, Operatori Kosovar i Transmetimit humb në një vit fiskal, rreth 14 milionë euro, duke mos vjelë tarifat e transmetimit ndërkufitar të energjisë, të cilat shkojnë në arkën e operatorit serb, EMS.

Humbjet vjetore të përbashkëta, sipas burimeve zyrtare, llogariten në 15 milionë euro, pa përfshirë këstet e borxhit që qeveritë në të dyja shtetet kanë nisur të shlyejnë.

Linja e re e transmetimit të energjisë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës do të rriste garancitë e furnizimit të vendit me energji, duke ndikuar edhe në uljen e kostove të importit.

Mosfunksionimi i linjës, ka sjellë pengesa në krijimin e tregut të përbashkët rajonal të energjisë.

/Burimi: Monitor.al/ GazetaReforma.com/