“Vendimi i Hagës është tepër pozitiv”/ Nga “marr armën kundër bashkimit me Shqipërinë” te “Shqipëria e Kosova, dy kombe”: Pse i jepet ende hapësirë televizive Nexhmedin Spahiut dhe deklaratave të tij përçarëse?

Katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dënohen rëndë në Hagë. Kosova zien nga reagimet, familjet presin drejtësi, veteranët protestojnë dhe shqiptarë nga Kosova e Shqipëria e shohin vendimin me zemërim. Por në ekranet shqiptare del Nexhmedin Spahiu dhe gjen momentin për të na treguar se vendimi ka diçka “tepër pozitive”.
Po, pikërisht Nexhmedin Spahiu.
I njëjti personazh që ka deklaruar se do të merrte armën për të penguar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. I njëjti që ka folur për shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë si dy kombe. I njëjti që ka thënë se bashkimi do të “shuante” njërin prej tyre. I njëjti që ka deklaruar se të thuash “Kosova është Shqipëri” është “pothuaj njëlloj” sikur të thuash “Kosova është Serbi”.
Dhe megjithatë, mikrofonat vazhdojnë t’i vendosen përpara.
Në një lidhje në “Top Story”, Spahiu kundërshtoi zhbërjen e Gjykatës Speciale dhe deklaroi:
“Është tepër pozitiv kur thotë se UÇK-ja nuk ka bërë krime kundër njerëzimit, nuk ka përndjekur popullatën serbe në Kosovë. Ndaj Vuçiç, Daçiç e të tjerë janë të tërbuar nga një vendim i tillë, sepse propagandën e tyre e hedh përtokë dhe kjo është pozitive për Kosovën”.
Katër ish-drejtues të UÇK-së sapo janë dënuar dhe ai zgjedh pikërisht këtë çast për të na shpjeguar anën “tepër pozitive” të vendimit.
Madje reagimi në studio ishte i menjëhershëm.
“Vuçiç nuk ishte gëzuar aq sa duhet, se ishte i gëzuar, por nuk ishte gëzuar aq sa ti, ti dukesh më i gëzuar se ai”, iu përgjigj Robert Rakipllari.
Por deklarata e Hagës nuk është një rrëshqitje e rastësishme e Nexhmedin Spahiut. Mjafton të hapësh arkivin.
Në shkurt 2024, gjatë pjesëmarrjes në promon e serialit komik “Bani Dani GMBH”, Spahiu shkoi deri te arma kur foli për një bashkim të mundshëm Kosovë-Shqipëri:
“Edhe unë e marr armën për mos me t’lanë ty me bo bashkim me Shqipërinë dhe për me mbrojtë shtetin e Kosovës. Edhe ti ke njerëz që të përkrahin, edhe unë kam njerëz që më përkrahin, që do me thënë, fillon lufta civile”.
Lexojeni përsëri.
Jo “do ta kundërshtoja politikisht”. Jo “nuk jam dakord”. Jo “do të votoja kundër”.
“E marr armën.”
Dhe kundër kujt?
Në skenarin që përshkruante vetë, kundër atyre që kërkonin bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Mund të thuhet se deklarata u bë në kontekstin e një produksioni komik. Por fjalia ekziston, është shqiptuar prej tij dhe është aq ekstreme sa nuk ka nevojë për zbukurim editorial.
E megjithatë, ky personazh vazhdon të trajtohet si një zë që duhet dëgjuar patjetër në ekranet shqiptare.
Nuk mbaron këtu.
Në vitin 2021, Spahiu artikulonte teorinë e tij për “dy kombe” dhe deklaronte:
“Nëse bashkohet Kosova me Shqipërinë shuhet njëri nga këto kombe, varësisht se kush mbetet kryeqyteti. Nëse Prishtina mbetet kryeqytet shuhet ky kombi këndej (Kombi shqiptar). Nëse Tirana mbetet kryeqyet, shuhet kombi i Kosovës.”
Pra shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë, për Nexhmedin Spahiun, nuk mjaftojnë të jenë një komb i ndarë historikisht në dy shtete. Duhet patjetër të prodhohet teoria e dy kombeve dhe madje bashkimi i tyre të përshkruhet si “shuarje”.
Pastaj vjen deklarata tjetër:
“Të thuash në këtë moment që Kosova është Shqipëri, është pothuaj njëlloj sikur të thuash Kosova është Serbi.”
Spahiu ka mbrojtur me këmbëngulje edhe konceptin e “kombit kosovar”. Kur historiani Azdren Shala tha se nuk besonte se ekzistonte një komb i tillë, Spahiu reagoi:
“Ajo është fyerje. Unë nuk të lejoj me thanë ashtu. Fyerje është me thanë që s’ka komb kosovar.”
Ka polemizuar edhe për Adem Jasharin.
Në vitin 2018 ngriti publikisht pretendimin:
“Kush është ai që i falsifikoi ditëlindjen Adem Jasharit. Nga 10.10.1955 e bëri 28.11.1955?!!!”
Familja Jashari reagoi dhe publikoi dokumente për datëlindjen e komandantit legjendar.
Pra nuk kemi përpara një deklaratë të vetme të nxjerrë nga konteksti. Kemi vite të tëra deklaratash. Dhe tani, në ditën kur shqiptarët përballen me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, një vendim nga Haga që për Nexhmedin Spahiun ka edhe diçka “tepër pozitive”, atëherë problemi nuk është më vetëm Nexhmedin Spahiu.
Problem janë edhe ekranet që vazhdojnë ta ushqejnë këtë fenomen me mikrofon, studio dhe audiencë.
Asnjë televizion nuk është i detyruar t’i japë Nexhmedin Spahiut studio. Asnjë redaksi nuk është e detyruar ta kthejë në protagonist çdo herë që prodhon një tjetër deklaratë që përplas shqiptarët me njëri-tjetrin.
Të kesh të drejtën të flasësh nuk do të thotë të kesh të drejtën e rezervuar për të hyrë në televizion.
Dhe televizionet shqiptare duhet të pyesin veten seriozisht se çfarë interesi publik i shërben riciklimi i vazhdueshëm i një personazhi që, sa herë hapet çështja e identitetit shqiptar, Kosovës apo Shqipërisë, arrin të prodhojë një deklaratë edhe më përçarëse se e mëparshmja.
Ekrani është hapësirë editoriale. Dhe për atë hapësirë dikush mban përgjegjësi.
Në një shoqëri që ende mban plagët e luftës dhe në një moment kur historia e UÇK-së është përsëri në qendër të një beteje të madhe publike, mediat shqiptare kanë përgjegjësi shumë më të madhe sesa të kërkojnë personazhin që prodhon deklaratën më provokuese të mbrëmjes.
Sa herë duhet të flasë për “dy kombe”, për armë kundër bashkimit me Shqipërinë, për “luftë civile” dhe për Shqipërinë në të njëjtin krahasim me Serbinë, që televizionet shqiptare të kuptojnë se nuk kanë asnjë detyrim ta mbajnë vazhdimisht në ekran?
Sepse mikrofonin nuk ia garanton askujt liria e fjalës. Mikrofonin ia jep televizioni. Dhe televizioni mund të zgjedhë edhe të mos ia japë.