Ndryshojnë rregullat për zhdoganimin e makinave deri në 10 vjet: Tani llogariten edhe kilometrat

Administrata Doganore Shqiptare ka përcaktuar rregulla të reja për vlerësimin e automjeteve gjatë zhdoganimit, duke futur një element të ri në përllogaritjen e vlerës së makinave të përdorura: kilometrat e përshkuara.
Manuali i ri, i bërë publik më 18 shtator 2026, zbatohet për automjetet e prodhuara gjatë 10 viteve të fundit dhe parashikon që, në rastet kur nuk mund të përdoret metoda e transaksionit apo metodat e tjera të përcaktuara në Kodin Doganor, vlera doganore të mbështetet edhe te çmimet reale të publikuara online në burime dhe buletine të specializuara.
Ndryshimi kryesor lidhet pikërisht me kilometrazhin. Përveç markës, vitit të prodhimit, cilindratës, llojit të karburantit dhe karakteristikave të tjera teknike, Doganat do të marrin në konsideratë edhe kilometrat që automjeti ka përshkuar deri në momentin e zhdoganimit.
Kjo do të thotë se dy makina me të njëjtën markë, vit prodhimi, cilindratë dhe karburant nuk do të kenë domosdoshmërisht të njëjtën vlerë për efekt zhdoganimi, pasi në përllogaritje mund të ndikojë edhe kilometrazhi i secilës prej tyre.
Megjithatë, çmimet e publikuara online nuk do të përdoren si metoda e parë e vlerësimit. Manuali përcakton se këto të dhëna do të merren në konsideratë vetëm kur nuk mund të zbatohen metodat e tjera të vlerësimit, sipas rendit të përcaktuar nga 1 deri në 5. Në këtë rast, Doganat do t’u referohen burimeve dhe buletineve të specializuara të përcaktuara në manual.
Rregullat e reja vlejnë vetëm për automjetet e prodhuara brenda 10 viteve të fundit. Për makinat e prodhuara më shumë se 10 vjet përpara vitit aktual, Administrata Doganore sqaron se mënyra e vlerësimit nuk ndryshon.
Sipas Doganave, ndryshimet synojnë që vlera e përdorur për zhdoganim të jetë sa më pranë karakteristikave dhe gjendjes konkrete të automjetit në momentin e importit, duke standardizuar procesin dhe duke e mbështetur atë në më shumë të dhëna reale.