Skip to content
Kryesore

Tragjedi në Athinë/ Shkrumbohet makina, humbin jetën 3 të rinjtë nga Fieri! Po bënin video për TikTok

· 2 min lexim

Tre të rinj nga Fieri kanë humbur jetën, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur në një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në Glyfada të Athinës, në orët e para të mëngjesit të së enjtes.

Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 02:00. Makina në të cilën udhëtonin pesë të rinjtë doli nga rruga dhe u përplas me murin rrethues të një hoteli, në kryqëzimin e bulevardit Poseidonos me rrugën Kalypsous.

Si pasojë e përplasjes së fortë, tre prej të rinjve humbën jetën. Mediat greke raportojnë se viktimat janë shqiptarë. Dy të mbijetuarit, të dy 18 vjeç, u transportuan në spital, ndërsa njëri prej tyre raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Televizioni grek MEGA raporton se një nga pistat që po shqyrtohet është ajo e një gare shpejtësie me një automjet tjetër. Dyshohet gjithashtu se të rinjtë po regjistronin një video për TikTok në momentet para përplasjes dhe po hetohet nëse telefoni mund të ketë regjistruar edhe vetë momentin e aksidentit.

Megjithatë, deri tani policia nuk ka gjetur prova që konfirmojnë praninë apo përfshirjen e një automjeti të dytë, ndaj pista e garës së shpejtësisë mbetet në nivel dyshimi.

Autoritetet greke po analizojnë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe po mbledhin dëshmi, me qëllim përcaktimin e dinamikës së aksidentit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në tragjedinë ku humbën jetën tre të rinjtë nga Fieri.