“Ia vlen ta presësh Jakupin”/ Historia e dashurisë që nisi me burgun dhe vazhdon me pritjen në Hagë

Vendimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së ka shuar shpresën e familjes Krasniqi për rikthimin në shtëpi të Jakup Krasniqit. Bashkëshortja e tij, Sevdije Krasniqi, ka treguar se familja priste një vendim pafajësie dhe kishte bërë plane për jetën që do të nisnin së bashku pas përfundimit të procesit.
Në një intervistë me gazetaren e Top Channel, Kristi Gongo, ajo rrëfeu momentin kur familja mësoi vendimin.
“Ne kishim shpresë se do të shpalleshin të gjithë të pafajshëm. Vendimin e kemi pritur në shtëpi. Momenti i vendimit ishte shokues, nuk e prisnim. Kush janë ata 4 persona që po dënohen? Ata janë krerët e UÇK-së. Historia nuk do të helmohet nga asnjë vendim. UÇK-ja ka luftuar për liri. Ky vendim as nuk ndikon dhe as nuk duhet të ndikojë në jetën e Kosovës”, tha ajo.
Familja tashmë i ka kthyer shpresat te Apeli. Sevdije Krasniqi kërkon lirimin e të dënuarve dhe shprehet se pret që faza e ardhshme e procesit të mbështetet te faktet.
“Ne kërkojmë lirimin e tyre, do të presim Apelin. Besoj se tani do të bazohen në fakte. Tani dihet që ndërmarrja e përbashkët kriminale është udhëheqja e Serbisë bashkë me gjyqtarët e Gjykatës Speciale që dhanë këtë vendim”, u shpreh ajo.
Por përtej betejës gjyqësore, bashkëshortja e Jakup Krasniqit ka ndarë edhe historinë e tyre personale. Njohja e çiftit nisi në një periudhë kur Krasniqi ndodhej në burg. Ishte një shoqe e Sevdijes ajo që i foli për të dhe i kërkoi ta priste.
“Ma propozoi një shoqe e ime dhe më tha: ‘Ia vlen ta presësh profesor Jakupin’. Unë e prita dhe, pasi doli, ne u bëmë bashkë. I kam thënë Jakupit që nuk të kam ardhur në burg atëherë, por në Hagë do të të vij çdo muaj…”, tregoi ajo.
Vitet e qëndrimit të tij në Hagë kanë rënduar veçanërisht në momentet e rëndësishme të familjes. Për Sevdije Krasniqin, një nga dhimbjet më të mëdha ka qenë pikërisht mungesa e bashkëshortit në gëzimet familjare.
“E kam përjetuar shumë rëndë kur kemi pasur gëzime në shtëpi, që ai nuk ka mundur t’i përjetojë”, u shpreh ajo.
Deri përpara vendimit, familja priste kthimin e tij në shtëpi. Madje, Sevdije dhe Jakup Krasniqi kishin menduar edhe se si do ta vazhdonin jetën pasi ai të largohej nga Haga.
“Ne e prisnim në shtëpi, kishim bërë plane. Madje, me Jakupin kishim thënë që do të iknim të dy të jetonim në një shtëpi në fshat”, pohoi ajo.
Megjithatë, sipas bashkëshortes së tij, vetë Krasniqi kishte shprehur më herët dyshime për mënyrën se si po zhvillohej procesi, duke iu referuar veçanërisht arrestimit të tij.
“Duke parë si rrodhën gjërat, tha: ‘Nuk besoj shumë, sepse është gjykatë raciste’, nga mënyra si na kanë arrestuar, kur vetë ai ka mundur të dorëzohet. Pra, një arrestim si në kohën e ish-Jugosllavisë, madje edhe më rëndë”, tha ajo.
Pas vendimit, familja kërkon shfrytëzimin e të gjitha mundësive ligjore dhe e sheh Apelin si fazën e radhës të betejës.
“Ne kërkojmë që të përdoren të gjitha mjetet ligjore për zhbërjen e kësaj gjykate. Ne po shpresojmë në Apel. Kjo gjykatë nuk duhet të ketë më të drejtë të merret me luftëtarët tanë. Ne kemi përballuar gjenocid”, u shpreh Sevdije Krasniqi.
Pavarësisht zhgënjimit nga vendimi dhe planeve të mbetura pezull, mesazhi që ajo thotë se vazhdon t’i përcjellë bashkëshortit është i njëjtë:
“Unë Jakupit i them të qëndrojë i fortë, ashtu siç ai është”, përfundoi ajo.