SKANDALI në Durrës/ Ish-drejtoresha e Postës u arrestua për përvetësimin e 700 mijë eurove, bashkëshorti emërohet përgjegjës i sektorit të mbetjeve urbane në Bashki

Rreth dy muaj pas arrestimit të ish-drejtoreshës së Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, e cila akuzohet për përvetësimin e rreth 700 mijë eurove, një tjetër zhvillim ngre pikëpyetje në Durrës. Bashkëshorti i saj, Fetah Mataj, është emëruar përgjegjës i sektorit të mbetjeve urbane në ndërmarrjen bashkiake të pastrim-gjelbërimit.
Fetah Mataj nuk është një punonjës i ri i strukturës. Ai punon prej 11 vitesh në këtë ndërmarrje, por së fundmi është caktuar në pozicionin e përgjegjësit të sektorit të mbetjeve urbane, duke marrë kështu një detyrë me më shumë përgjegjësi.
Emërimi vjen vetëm rreth dy muaj pas shpërthimit të skandalit në filialin e Postës Shqiptare në Durrës dhe arrestimit të bashkëshortes së tij, ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj.
Çështja lidhet me një shumë prej 69 milionë lekësh të rinj, rreth 690 mijë euro, e cila sipas hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë dyshohet se nuk është arkëtuar në degët e Postës në Shijak dhe Krujë gjatë muajve prill dhe maj 2026.
Në hetim, krahas ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj, janë përfshirë edhe shefja e financës Valbona Hoti Duni dhe arkëtarja Paola Dana.
Hetimet e zhvilluara për rastin kanë zbardhur edhe lëvizjet e parave brenda filialit dhe veprimet e personave të përfshirë. Materialet hetimore të bëra publike më herët në media kanë përshkruar edhe pamje të kamerave të sigurisë dhe lëvizjen e shumave monetare brenda ambienteve të Postës.
Rasti mori përmasa të mëdha pas konstatimit të mungesës së miliona lekëve që duhej të arkëtoheshin, duke çuar në hetimin dhe më pas arrestimin e ish-drejtoreshës.
Tashmë, vetëm pak javë më vonë, vëmendja zhvendoset te bashkëshorti i saj.
Emërimi merr peshë të veçantë pikërisht për shkak të kohës kur është bërë dhe lidhjes së tij familjare me ish-drejtoreshën që ndodhet nën akuzë për skandalin e Postës.
Por historia e Fetah Matajt nuk kufizohet vetëm te fakti se është bashkëshorti i ish-drejtoreshës.
Ajo lidhet gjithashtu me hetimin për paratë e Postës, ku ai u cilësua si “bashkëpunëtor në vjedhje”. Megjithatë, përgjegjësia penale individuale përcaktohet nga organet e drejtësisë dhe çdo pretendim ndaj tij duhet trajtuar si pjesë e hetimeve apo raportimeve derisa të ketë një vendim përfundimtar.
Kush e mori vendimin për ngritjen në detyrë të Fetah Matajt dhe mbi çfarë kriteresh u bë emërimi, pikërisht në këtë moment?