Hetimet për tunelin e Llogarasë po ngushtohen dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku prej më shumë se dy javësh është tashmë e pandehur për një dëm të dyshuar prej 50 milionë euro ndaj buxhetit të shtetit. Gazetarja Klodiana Lala konfirmon se SPAK ka sekuestruar dhe deshifruar disa telefona, ndërsa janë marrë në pyetje mbi 140 persona. Hetimet vazhdojnë dhe priten akuza të reja.
Por ndërsa rrethi ligjor po mbyllet tek Balluku, sa vite duhet të hetohet e njëjta ministri që SPAK të veprojë realisht? Prej kohësh, kjo ministri është kthyer në laboratorin më të studiuar të prokurorisë. Janë marrë telefona pa fund, sekuestruar pajisje, zhdekur serverë dhe mbledhur çdo dokument i mundshëm.
Vetëm Viola Haxhiademit, sekretarja e përgjithshme që u la të mbante peshën e firmave, i janë marrë tetë telefona deri tani. Tetë telefona, brenda një institucioni ku gjithçka dokumentohet, komunikohet dhe vendoset me mesazhe. Çdo drejtori është kontrolluar. Çdo arkivë është shfletuar. Dhe megjithatë, reagimi mungon.
SPAK ka çdo provë në tavolinë. Ka mesazhet, ka telefonat, ka tenderat e rrugëve, ka kontratat që shkojnë në miliona euro. Ka historinë e gjatë të një ministrie problematike ku hetimet nuk kanë pushuar asnjë ditë. Atëherë, çfarë presin?
Lala tregon se disa nga telefonat e dekriptuar përfshijnë edhe ata të Berberit, dhe se nga analizimi i tyre kanë dalë detaje të rëndësishme. Mbi 140 persona janë marrë në pyetje dhe të tjerë pritet të thirren. Prandaj flitet me siguri se për Ballukun do të ketë akuza të reja.
Por qytetarët e kanë parë këtë film shumë herë: hetime që zgjasin me vite, prova që mblidhen pa fund, sekuestrime e dekriptime, ndërsa vendimet vonohen. Kush do ta marrë përgjegjësinë për këtë zvarritje të pafundme?
Sepse realiteti është i thjeshtë: kush nuk e fut sot në burg këtë grup të strukturuar brenda një ministrie që është hetuar deri në celularin e fundit, nesër do të jetë vetë ai që do të japë llogari pas hekurave. Heshtja nuk i mbron më askënd. Heshtja, në këtë rast, është provë.








