Prokuroria e Korçës ka dërguar për gjykim një mësues arti, i akuzuar se ngacmoi seksualisht vajzat e mitura përmes mesazheve në rrjete sociale.
Hetimet nisën në nëntor të vitit 2024, pasi prindërit e dy nxënëseve, me inicialet I.B. dhe A.K., denoncuan në polici se mësuesi u kishte dërguar vajzave mesazhe me përmbajtje të papërshtatshme në WhatsApp.
Sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, shtetasi B.D. do të gjykohet për veprën penale “Ngacmim seksual” ndaj të miturve, parashikuar nga neni 108/a/2 i Kodit Penal.
Gjatë hetimeve u sekuestruan telefonat e të miturave dhe i të pandehurit, u kryen ekspertiza teknike të komunikimeve dhe u morën deklaratat e vajzave në prani të psikologëve e përfaqësuesve ligjorë. Raportet psikologjike vërtetuan se ngjarja ka shkaktuar gjendje ankthi dhe stresi të theksuar tek të miturat, të cilat kërkojnë ndihmë të specializuar terapeutike.
Prokuroria nënvizon se provat e mbledhura konfirmojnë të gjitha elementët e veprës penale, duke e cilësuar këtë rast një krim me rrezikshmëri të lartë shoqërore.