Në emisionin “Me Zemër të Hapur”, u rikthye trajtimi i tragjedisë së 14-vjeçarit Martin Cani, i cili u vra rreth tetë muaj më parë në oborrin e shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, nga një bashkëmoshatar i tij, Mario Përlleshaj.
Gjatë transmetimit, moderatorja tentoi të kontaktonte mësuesen kujdestare të Martin Canit për të ndarë kujtime mbi të, por ajo refuzoi çdo kontakt, duke thënë: “Më keni marrë edhe më parë dhe përgjigjja ime mbetet e njëjtë. Gjithë të mirat, mirupafshim,” dhe ndërpreu telefonin.
Kjo është pasqyrë e thellë e dështimit të sistemit të institucioneve në Shqipëri. Një realitet ku besimi në shtet, në mësues, në bluzat e bardha dhe në drejtësi është shkatërruar nga keqqeverisje e vazhdueshme dhe mungesë përgjegjësie.
Dhimbja dhe dinjiteti njerëzor janë mpirë në mënyrë të tillë, saqë vdekja e një fëmije brenda shkollës nuk sjell më reagimin e duhur moral dhe institucional.
Në këtë sistem të dështuar, nga mësuesit që injoruan paralajmërimet për dhunën, tek policia që manipuloi provat, e deri tek prokurorët që zhvilluan hetime selektive duke favorizuar lidhjet familjare, drejtësia është e pamundur të kërkohet.
Për më tepër, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, u përfshi në akuza për heqjen e emrit të një djali zyrtari të lartë nga dosja hetimore, ndërsa prokurorja Alma Felaj, kunata e një deputeteje socialiste, po drejton hetimet për një rast ku janë të përfshirë fëmijët e zyrtarëve të SPAK-ut. Për këtë arsye, shpresa për një hetim të paanshëm është minimalizuar.
Kamerat e sigurisë regjistruan tetë persona në vendngjarje, dhe dëshmitarët konfirmuan praninë e Kledion Bejkajt, djalit të një hetuesi të BKH-së dhe specialistes së SPAK-ut. Megjithatë, sistemi u fokusua vetëm tek një autor, duke treguar se mbrojtja e interesave familjare dhe institucionale është më e rëndësishme se e vërteta dhe drejtësia.
Përpara kësaj tragjedie, në klasë dëgjoheshin kërcënime të hapura me fjalë si “Do të vij me një thikë kaq”, por asnjë nga mësuesit apo drejtuesit e shkollës nuk ndërmori asnjë masë. Oficerët e sigurisë, të paguar dobët dhe të trajtuar si “spiunë” kur raportojnë probleme, u detyruan të heshtin. Ky është realiteti i shkollave në Shqipëri, ku paralajmërimet për dhunë injorohen dhe përgjegjësia shmanget.
Pas ngjarjes, Ministria e Arsimit, në drejtimin e Ogerta Manastirliut, nuk ka dhënë përgjigje konkrete, duke “proceduar me verifikime” pas ngjarjes. E njëjta ministresha, që më parë mori vendime të diskutueshme në shëndetësi, përfshirë detyrimin që ambulancat të anashkalojnë QSUT-në në favor të Spitalit të Traumës, vendim që ndoshta kushtoi jetën Martinit, nuk ka treguar asnjë reflektim serioz.
Edhe transferimi i autorit nga spitali në burg u shoqërua me akuza mes Komisionit të Burgjeve dhe mjekut, duke reflektuar mosfunksionimin institucional dhe mungesën e koordinimit.
Në Shqipëri është krijuar një kulturë e shmangies së përgjegjësisë, ku paralajmërimet për dhunë trajtohen si thashetheme, dhe siguria e fëmijëve vihet në rrezik për shkak të rehatisë institucionale.
Pa përgjegjshmëri reale institucionale, pa një kulturë të re të sigurisë në shkolla, tragjedi të tilla do të përsëriten, dhe atëherë do të jetë tepër vonë për të kërkuar ndonjë lloj faljeje.