Tensionet mes Izraelit dhe Iranit janë përshkallëzuar ndjeshëm një ditë pas sulmeve amerikane ndaj bazave iraniane.
Të dy vendet kanë kryer sulme të reja kundër njëri-tjetrit, me goditje të drejtpërdrejta ndaj objektivave ushtarake.
Forcat izraelite deklaruan se rreth 20 avionë luftarakë kryen një operacion të koordinuar ajror kundër pozicioneve iraniane, duke përdorur mbi 30 municione të drejtuara. Sipas IDF-së, në shënjestër ishin vendet e lëshimit dhe magazinimit të raketave në territorin iranian.
Ndërkohë, edhe Irani reagoi me një breshëri raketash drejt Izraelit. Alarmet e sulmeve ajrore u aktivizuan në disa qytete, përfshirë Tel Avivin, Jerusalemin dhe Haifën.
Një ndërtesë në Izraelin qendror u godit nga raketa, duke lënë dy persona të bllokuar dhe të paktën 14 të plagosur, njëra prej tyre, një grua 60-vjeçare, në gjendje të rëndë.
Mëngjesin e sotëm, Forcat Ajrore Izraelite intensifikuan ofensivën, duke bombarduar objekte ushtarake në Kermanshah, në perëndim të Iranit.
Ushtria izraelite tha se kishte shkatërruar gjashtë aeroporte ushtarake në pjesët perëndimore, qendrore dhe lindore të vendit, përfshirë pista fluturimi, strehime nëntokësore dhe avionë luftarakë si F-14, F-5 dhe helikopterë AH-1.
Sipas burimeve izraelite, këto mjete ajrore iraniane synonin të përdoreshin për të penguar operacionet izraelite brenda territorit të Iranit. IDF deklaroi se ka çaktivizuar përkohësisht aftësinë operacionale të forcës ajrore iraniane nga këto baza.
Nga ana tjetër, Lideri Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, reagoi për herë të parë pas bombardimeve amerikane, duke e cilësuar Izraelin si përgjegjës për një “krim të madh” që, sipas tij, “do të ndëshkohet dhe po ndëshkohet.”
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Khamenei shoqëroi mesazhin me një imazh provokues që përshkruante një kafkë me Yllin e Davidit dhe raketa që bien mbi një qytet të errësuar, një simbolikë e qartë e vazhdimit të përplasjes.
Situata mbetet e tensionuar dhe me potencial për përshkallëzim të mëtejshëm, ndërsa komuniteti ndërkombëtar i bën thirrje të dy palëve për përmbajtje.