Faqja zyrtare e Bashkisë së Tiranës është jashtë funksionit pas një sulmi kibernetik që mban firmën e grupit iranian “Homeland Justice”.
Përmes një postimi në platformën Telegram, grupi deklaron se ka ndërhyrë në sistemin e Bashkisë, ka rrëzuar faqen, ka marrë të dhëna dhe ka fshirë serverët.
Në deklaratën e tyre, hakerët pretendojnë se sulmi është një formë ndëshkimi për aktivitetet që sipas tyre janë zhvilluar nga Bashkia e Tiranës.
Ata kanë publikuar pamje që tregojnë gjendjen e faqes përpara dhe pas sulmit, ndërsa shoqërojnë mesazhin me kërcënime të drejtpërdrejta ndaj autoriteteve shqiptare për strehimin e anëtarëve të grupit opozitar iranian MEK në territorin shqiptar.
“Paralajmërimi ynë për dëbimin e terroristëve të MEK-ut është injoruar. Ju i keni pajisur ata me dokumente të falsifikuara dhe status të privilegjuar. Tani përballeni me ndërprerjen e shërbimeve të qytetit dhe paralizimin e trafikut. Marrëveshja jonë me ju vazhdon”, thuhet në deklaratë.
Ndërprerja e sistemit ka pasur ndikim të menjëhershëm në shërbimet për qytetarët, përfshirë procesin e regjistrimit të fëmijëve në çerdhe dhe kopshte, i cili kryhet ekskluzivisht online dhe pritet të përmbyllet më 22 qershor, pra brenda dy ditëve.
Kjo është një nga goditjet më të rënda që sistemi i shërbimeve publike në Tiranë ka marrë kohët e fundit. Kujtojmë se në vitin 2022, Shqipëria u përball me një seri sulmesh kibernetike të ngjashme, të cilat u atribuuan gjithashtu grupeve të lidhura me regjimin iranian.