Durim Bami, një nga emrat e njohur të botës së krimit në Shqipëri, pritet të ekstradohet sot nga Dubai drejt Tiranës. 47 vjeçari, banues në Nikël të Krujës, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra penale dhe ndaj tij Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, GJKKO, më datë 15.05.2024, ka vendosur masën “Arrest në burg” për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”. Pas mbërritjes së tij në Shqipëri, pritet një njoftim i plotë për median.
Në deklaratën zyrtare thuhet:
“Policia e Shtetit/Vijon operacioni ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për lokalizimin, kapjen dhe finalizimin e procedurave të ekstradimit të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pritet finalizimi i procedurave të ekstradimit gjatë ditës së sotme, nga Dubai, në Shqipëri, të një shtetasi të shumëkërkuar.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ditën e sotme, pritet të ekstradohet nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, shtetasi D. B., 47 vjeç, banues në Nikël, Krujë.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, më datë 15.05.2024, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”. Pas mbërritjes së këtij shtetasi, do të ketë një njoftim të plotë për median.”
Durim Bami u ndalua në Dubai më 21 tetor 2024. Kjo ishte hera e dytë që ai arrestohej nga autoritetet e Dubait, pasi kishte shkelur rregullat e paraqitjes pranë një prej rajoneve të policisë lokale.
Arrestimi i parë i tij ishte kryer në qershor 2024, pas një urdhër arresti të lëshuar nga SPAK në muajin maj 2024. Në atë kohë, ai u lirua nga gjykata, pasi përfitoi një leje qëndrimi dhe garanci për t’u paraqitur në komisariat sa herë të kërkohej për verifikim.
Megjithatë, pas tre thirrjeve me e mail nga policia e Dubait për t’u paraqitur për verifikim, Bami nuk është përgjigjur, çka solli arrestimin e tij të dytë. Ai ka pretenduar se nuk i kishte parë e mail et dhe për këtë arsye nuk ishte paraqitur fizikisht në polici në ditën dhe orën e planifikuar.
Këto pretendime nuk u morën parasysh dhe ai nuk arriti të lirohej. Pas humbjes së procesit gjyqësor në Emiratet e Bashkuara Arabe, është hapur rruga për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij.








