Një shpërthim i ri i sëmundjes infektive të bruçelozës ka përfshirë zonat malore të Dibrës, duke shkaktuar panik dhe pasiguri mes fermerëve, të cilët ndihen të braktisur nga institucionet vendore dhe qendrore.
Sëmundja zoonotike, që transmetohet nga kafshët te njerëzit, është konfirmuar në njësitë administrative Kastriot dhe Muhurr, vetëm pak javë pas një tjetër shpërthimi infektiv në Martanesh të Bulqizës.
Në një zonë ku blegtoria është burimi kryesor i të ardhurave, përhapja e sëmundjes ka pasoja të rënda ekonomike dhe sociale. Fermerët akuzojnë autoritetet për mungesë informacioni, masash parandaluese dhe mbështetje.
“Jemi në hall të madh,” thotë Dilaver Rusi, 76 vjeç, nga fshati Mustafaj. “Na kanë marrë analizat e bagëtive, por nuk dimë nëse do marrim dëmshpërblim apo jo për ato që do të therin.”
Një tjetër banor i zonës, Dilaver Zuna, e lidh përhapjen e infeksionit me mungesën e vaksinimit: “Na duket sikur nuk ekziston fare shteti. Bagëtitë na sëmuren dhe nuk kemi ku të ankohemi.”
Shumë banorë thonë se janë informuar për situatën vetëm pasi janë marrë mostrat e gjakut të bagëtive. “Më pas nuk kemi parë më njeri në derë,” thotë Haxhi Xhani nga fshati Arras.
Veterinerët lokalë po ashtu e pranojnë gjendjen e rënduar, duke evidentuar mungesën e fondeve për analiza laboratorike dhe hezitimin e fermerëve për të raportuar rastet, nga frika se nuk do të kompensohen për kafshët e sëmura.
Bashkia Dibër nuk ka dhënë asnjë reagim publik për situatën. Edhe një kërkesë zyrtare për informacion nga BIRN ka mbetur pa përgjigje, ndonëse burime jozyrtare pranë bashkisë pohojnë se “situata është serioze, por pa ndihmë nga lart nuk mund ta përballojmë.”
Ndërkohë, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, është përpjekur të minimizojë situatën: “Rastet janë të izoluara dhe nuk ka vend për alarmizëm.” Por gjendja në terren dëshmon të kundërtën.
Një sëmundje me rrezik për njeriun
Bruçeloza është sëmundje infektive që transmetohet lehtësisht te njerëzit, përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët apo konsumit të produkteve të papërpunuara si qumështi apo mishi.
“Sëmundja përhapet përmes konsumimit të qumështit të papasterizuar ose mishit të papjekur, por edhe nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me sekrecionet e kafshëve të sëmura,” shpjegon mjeku Fatos Hoxha.
Ai thotë se simptomat shpesh ngatërrohen me infeksione të tjera: “djersitje, ethe, të dridhura, lodhje, humbje oreksi, dhimbje muskujsh e kyçesh, dhimbje koke, probleme me tretjen si diare apo kapsllëk, si dhe të vjella.”
Në spitalin rajonal të Dibrës janë trajtuar deri tani 12 pacientë me simptoma që përputhen me bruçelozën, përfshirë edhe barinj që punonin në Kosovë e Shqipëri.
“Shenjat klinike variojnë nga ethe dhe dhimbje muskujsh te probleme më të rënda që kërkojnë trajtim të gjatë,” thekson mjekja infeksioniste Neada Hoxha.
Sipas një specialisti veterinar të përfshirë në monitorimin e shpërthimit, janë groposur dhe asgjësuar mbi 630 krerë bagëti nga tre ferma, ndërsa raste janë evidentuar në më shumë se dhjetë fshatra të qarkut. Ai shton se është duke u zbatuar një plan për skartim dhe vaksinim, por për gjedhët mungojnë vaksinat.
Sistemi veterinar në kolaps
Sipas veterinerit në pension Zeqir Cami, rajoni i Dibrës është i ekspozuar ndaj rreziqeve të sëmundjeve infektive për shkak të importit të mishit dhe produkteve bulmetore nga Maqedonia e Veriut, ku bruçeloza është ende e përhapur.
“Shërbimi veterinar është i rrënuar,” shprehet Bardhyl Brata, veteriner me përvojë në zonën e Bulqizës. “Shumë fermerë nuk i raportojnë rastet nga frika se do t’u skartohen bagëtitë dhe nuk do të marrin dëmshpërblim.”
Ai shton se mungesa e fondeve për analizat laboratorike e vështirëson ndjeshëm kontrollin e sëmundjes.
Edhe Ismail Uka, avokat dhe ish-kandidat për deputet i PD-së, thekson: “Sektorët e bujqësisë dhe veterinës janë në degradim prej më shumë se një dekade. Nëse nuk merren masa për vaksinim dhe kompensim, bruçeloza mund të kthehet në epidemi njerëzore.”
Bari Kika, një blegtor nga zona e Bulqizës, ndan përvojën e tij dramatike me sëmundjen:
“E kam kaluar para disa vitesh, në tufën time prej 150 dhish,” rrëfen ai. “Situata ishte shumë e rëndë – jo vetëm që u prekën kafshët, por sëmundja kaloi edhe te pjesëtarët e familjes. Të gjithë përfunduam të shtruar në repartin infektiv të Spitalit Rajonal të Dibrës.”
Edhe këtë vit, Kika thotë se nuk ka marrë vaksina për tufën, duke shprehur zhgënjim për mungesën e ndërhyrjes shtetërore.
Shpërthimi i bruçelozës në Dibër nuk është thjesht krizë veterinarie, por një alarm i fortë për sigurinë ushqimore dhe shëndetin publik në vend. Pa masa urgjente, sëmundja rrezikon të përhapet më tej dhe të sjellë pasoja edhe më të rënda për komunitetet rurale./ Reporter.al