Skip to content
Të Gjitha

Ca të nënës e ca të njerkës! Si po e zbaton ligjin “Maliqi” për burrin e Xhaçkës dhe atë të prokurores Sevdari

· 4 min lexim

Zbatimi i ligjit me standarte të dyfishta ndodh rëndomtë  në vendin tonë.

Ku ligjin e bën “Maliqi’, një pjesë shigjetohen ndërkohë për disa të tjerë bëhet një ‘sy qorr dhe një vesh shurdh’.

Këtë shqetësim e ka ngritur gazetari Ermal Mulosmani, i cili shprehet se ligji i vetingut ka qenë shumë ‘miqësor’ me ministren Xhaçka, burri i të cilës është favorizuar si investitor strategjik, teksa por nuk ka ndodhur e njëjta gjë me prokuroren Antoneta Sevdari, e cila siç u bë e ditur u largua nga radhët e drejtësisë.

Buri i ministres Olta Xhaçka ka investuar miliona në Rivierën Shqiptare, por askush nuk i kërkon llogari sesi i vuri  këto miliona, sa janë detyrimet që ka paguar në shtet dhe të tjera të dhëna, që kërkon ligji për deklarimin e pasurisë.

Ndërkohë që u përdor një “dorë e hekurt” me prokuroren që nuk arriti të justifikonte dot nëse bashkëshorti i saj emigrant para sesa të njihej me Antonetën, dhe as që e dinte për ekzistencën e saj, nuk  ka sjellë dokumentat për të vërtetuar se pronari i tij në Greqi ka paguar apo jo të ardhura për pagën që ai ka marrë në shtetin fqinj.

Duket paradoksale, por është realiteti i zbatimit të ligjit në Shqipëri, ku “ca janë të nënëns e ca janë të njerkës’.

REAGIMI I PLOTË I GAZETARIT:

Shtet i rreptë  ky, “e kap lepurin me qerre”. Të fshihte pasurinë burri i huaj, i cili as e kishte menduar se do martohej me prokurore!?

Kjo është e patolerueshme për ligjin tonë, dhe kur e shkel atë merr edhe masë, ndëshkohesh, në këtë rast largohesh nga detyra, dhe me një njollë si e “korruptuar”.

Po si ka mundësi të përdoren kaq hapur dhe trashë dy standarte!?

Si ka mundësi që ministrja Xhaçka është kaq e qetë dhe mendon se jua hodhi shqiptarëve duke u shprehur se paratë janë të burrit, që i ka bërë në emigracion duke i rënë bretku.

Po ky vetingu që heton deri në brezin e shtatë, për të mos thënë edhe “brekët e gjyshës”, si ka mundësi që nuk i kërkoi burrit të ministres të dëshmonte nëse kishte paguar taksa e tatime për punën e bërë dhe çfarë pune kishte bërë në emigracion.

Pronari i tij i ka derdhur tatimet për të në shtet,  apo s’ka rëndësi se tani, ka gruan ministre dhe ligji për ministren nuk mund të jetë kaq i rreptë.

Ngjarje të tilla që janë djegur, prokurorë  e prokurore, gjyqtarë e gjyqtare, pa pasur fajin më të vogël, dhe që janë mbuluar, mbrojtur, e kamufluar shumë të tjerë, ka me dhjetëra.

Lind pyetja, cili është standarti i barazisë?

A është ligji i barabartë për të gjithë?

A jemi të gjithë njësoj para ligjit dhe Kushtetutës ?

Përgjigja zyrtare e dimë që është PO.

Atëherë pse ndiqen gjithmonë dy standarte, faktet “ulërasin”,  por sërish drejtuesit e këtij vendi bëjnë sikur nuk i dëgjojnë.

Këtij vendi nuk i kanë munguar ligjet, por mënyra sesi zbatohen ato.

Po sjellim në vëmendje ligjin e Amnistisë Fiskale, që po diskutohet të bëhet.  Shumë mirë që realizohet, por frika që e shoqëron  miratimin e këtij ligji është, a do të zbatohen standartet për të gjithë njëlloj, apo edhe këtu do mbizotërojë, ligji i “Maliqit”.

Mbetet të presim dhe të shohim.

Tashmë jemi më të rritur e pjekur politikisht si popull, kemi përjetuar shumë, asgjë nuk na habit dhe nuk na lë pa fjalë në këtë vendin tonë të vogël, ku mbizotëron miku dhe jo çifliku.  /Gazeta Reforma