Skip to content
Kryesore

“Plan i qëllimshëm për tjetërsimin e koncesionit”/ Beteja për Aeroportin e Vlorës, Pacolli: Dëmet janë të mëdha, do t’i paguajnë shqiptarët, jo ata që i shkaktuan

· 3 min lexim

Biznesmeni nga Kosova, Behgjet Pacolli, ka reaguar sërish për përplasjen mbi Aeroportin e Vlorës, duke deklaruar se çështja po shkon drejt drejtësisë ndërkombëtare dhe se pas konfliktit nuk qëndron thjesht një mosmarrëveshje mes ortakëve. Sipas tij, bëhet fjalë për një “plan të qëllimshëm” për tjetërsimin e koncesionit, ndërsa paralajmëron se një kompensim i mundshëm për dëmet mund të paguhet nga buxheti publik dhe, përfundimisht, nga qytetarët shqiptarë.

“Çështja e Aeroportit të Vlorës, kundër dëshirës sime, po kalon në duart e drejtësisë ndërkombëtare. Tani po shihet se problemi nuk ka qenë dhe nuk është mosmarrëveshja në mes dy ortakëve, por një plan i qëllimshëm që kishte për qëllim TJETËRSIMIN e këtij koncesioni, që tani po realizohet”, shkruan Pacolli.

Ai thotë se prej më shumë se një viti ka kërkuar dialog, zgjidhje dhe drejtësi, por kërkesat e tij për identifikimin e personave përgjegjës dhe parandalimin e përkeqësimit të situatës janë lënë pa përgjigje.

“Jemi të gatshëm t’ia nënshtrojmë çdo dokument dhe çdo veprim shqyrtimit të institucioneve kompetente. Ato nuk duhet të konsiderohen si akuza nga ana jonë, por vetëm si paraqitje reale e fakteve. Kemi bërë çdo përpjekje për ta shmangur arbitrazhin”, vijon ai.

Pacolli thekson se qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar dhe se synimi mbetet përfundimi i Aeroportit të Vlorës dhe vënia e tij në funksion të qytetarëve. Ai thotë se për këtë projekt ka investuar dhe punuar dhe se do të vazhdojë të kërkojë drejtësi.

Në reagimin e tij, biznesmeni ndalet veçanërisht te pasojat financiare që, sipas tij, mund të sjellë përfundimi i çështjes në arbitrazh. Pacolli shprehet se dëmet janë të mëdha dhe se një kompensim eventual nuk do të rëndonte mbi personat që ai i konsideron përgjegjës, por mbi financat publike.

“Më dhemb mendimi se një kompensim i mundshëm për dëmet, të cilat janë të mëdha, do të rëndonte mbi buxhetin publik dhe, përfundimisht, mbi qytetarët shqiptarë, e fatkeqësisht jo mbi personat që e kanë shkaktuar këtë situatë dhe tani po përfitojnë prej saj.

Pas një jete pune në shumë vende, më dhemb veçanërisht që pikërisht kjo vepër, në vendin tim, me qeverinë time dhe në dëm të qytetarëve të mi, po përballet me atë që unë e konsideroj një padrejtësi të rëndë”, përfundon Behgjet Pacolli.