Skip to content
Kryesore

Marta Kos doli në mbrojtje të Speciales pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së/ Avokati i Thaçit i përgjigjet: Nuk të takon ta paragjykosh çështjen ndaj tij

· 2 min lexim

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiç, i është përgjigjur Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, pas deklaratës së saj për Dhomat e Specializuara dhe vendimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kos deklaroi pas vendimit se Dhomat e Specializuara janë “organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur”, ndërsa shkroi se vendimi lidhet me “përgjegjësi individuale dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”.

Mishetiç ka kundërshtuar pikërisht cilësimin e Speciales si të paanshme, duke theksuar se në rastin e Thaçit kjo çështje ende nuk është përcaktuar.

“Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e Thaçit, kjo ende mbetet të përcaktohet. Nuk i takon Marta Kosit që ta paragjykojë këtë çështje”, ka shkruar Mishetiç.

Avokati i Thaçit i ka bashkëngjitur reagimit të tij edhe një raport të Komitetit të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut të Anglisë dhe Uellsit, i cili, sipas tij, vë në pikëpyetje paanshmërinë e gjyqtarëve të trupit gjykues.

Në raport, Komiteti kishte identifikuar probleme serioze lidhur me mbrojtjen e garancive procedurale, veçanërisht sa i përket të drejtës për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm në Gjykatën Speciale. Mes të tjerash, kishte konstatuar edhe se mandati i Speciales kishte devijuar nga qëllimi fillestar.

Reagimi i Mishetiç vjen pasi më 16 shtator Marta Kos kërkoi që vendimi i Dhomave të Specializuara për katër ish-krerët e UÇK-së të respektohet.