Skip to content
Aktualitet

Emergjenca në furnizimin me energji elektrike/ Vendimi: “KESH”, “OST” dhe “OSHEE” të pezullojnë planet e investimeve

· 2 min lexim

Është publikuar vendimi për shpalljen e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që u njoftua ditën e sotme nga kryeministri Edi Rama.

Në vendim parashikohet ngritja e një grupi ndërinstitucional për menaxhimin e situatës, që do të drejtohet nga zv/kryeministri Arben Ahmetaj dhe në përbërje do të ketë ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera.

Gjithashtu është kërkuar që “KESH”, “OSHEE” DHE “OST të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë.

Vendimi i plotë:

  1. Shpalljen e gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike.
  2. Ngritjen e grupit ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencës në furnizimin me energji elektrike, që drejtohet nga Zëvendëskryeministri dhe ka në përbërje ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, ministrin e Financave dhe Ekonomisë dhe çdo përfaqësues nga institucione të tjera, që vlerësohen të nevojshëm nga Zëvendëskryeministri.
  3. Shoqëritë “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., të pezullojnë planet e investimeve, përveç investimeve të domosdoshme për ushtrimin e veprimtarisë. Këto shoqëri të koordinojnë ushtrimin e aktivitetit, në përputhje me udhëzimet e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, me qëllim garantimin e pandërprerë të energjisë elektrike.
  4. Ngarkohet ministri i Financave dhe Ekonomisë që të sigurojë mekanizmat e duhur financiarë, me qëllim mundësimin e importit të energjisë për sigurimin e furnizimit të pandërprerë të energjisë elektrike.
  5. Gjendja e emergjencës në furnizimin me energji elektrike i shtrin efektet deri më 15 prill 2022.
  6. Ngarkohen Zëvendëskryeministri, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, ministri i Financave dhe Ekonomisë, “KESH”, sh.a., “OST”, sh.a., dhe “OSHEE Group”, sh.a., për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA