Skip to content
Kryesore

Ekstradohet nga Italia anëtari i grupit “Visi i Pojës”, i kërkuar nga SPAK

· 2 min lexim

Një 32-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë.

Bëhet fjalë për Edison Cukajn, i njohur edhe si Edison Gjoka, i akuzuar për “Ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Masa e sigurisë “Arrest në burg” për të ishte caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë, në prill të vitit 2025.

Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Interpol Tiranës dhe homologëve të tyre në Romë, në kuadër të operacionit “The Wanted”, u finalizua ekstradimi i Cukajt.

Pas përfundimit të procedurave në Komisariatin e Policisë Rinas, ai iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Emri i tij doli në dritë nga përgjimet e organizatës kriminale “Sky Ecc”, e lidhur me bandën e Elvis Doçit, i njohur si “Visi i Pojës”. Cukaj rezulton i dënuar për trafik droge dhe dyshohet se kaloi në mënyrë të paligjshme drejt Italisë përmes portit të Durrësit, duke i dhënë një ryshfet prej 3 mijë eurosh një efektivi kufitar.

Nga hetimet ka rezultuar se skema ishte organizuar nga Bexhet Mema, me ndërmjetësimin e Ervis Detit, ndërsa i përfshirë është edhe efektivi kufitar në portin e Durrësit, Naim Beluli.

Megjithatë, plani i trafikimit dështoi pasi më 16 qershor 2022, Cukaj u ndalua në Portin e Barit nga autoritetet italiane për shkak të mungesës së dokumentacionit të rregullt dhe u deportua në Shqipëri.