Skip to content
Kryesore

Ekstradohen nga Dubai vëllai i Nuredin Dumanit dhe pjesëtari i grupit të Çopjave

· 2 min lexim

Dy persona të shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare, Dashnor Dumani dhe Armis Stafa, pritet të ekstradohen sot nga Dubai drejt Tiranës, pas një operacioni të realizuar në bashkëpunim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Dashnor Dumani, vëllai i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, rezulton i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe i akuzuar nga Gjykata e Posaçme për krime të rënda si vrasje dhe vjedhje me armë.

Ai dyshohet gjithashtu se ka marrë pjesë në masakrën e Bradasheshit, ku u vranë tre anëtarë të familjes Alibej.

Ndërkohë, Armis Stafa (i njohur dhe si Armees Stava), 36 vjeç, është arrestuar në Dubai më 27 maj, në zbatim të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga drejtësia shqiptare.

Ai akuzohet për përfshirje në pastrimin e parave të një grupi kriminal në Elbasan, të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Hetimet e SPAK tregojnë se Stafa ka qenë pjesë e një skeme të ndërlikuar për pastrimin e fondeve, përmes transaksioneve të fshehta në tregun e automjeteve.

Të dy personat do të përballen me drejtësinë në kuadër të hetimeve të zgjeruara të SPAK për shkatërrimin e rrjeteve kriminale në vend.

Policia e Shtetit konfirmoi se ekstradimi i tyre është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe se për detaje të mëtejshme, përfshirë orën e mbërritjes, do të ketë njoftim zyrtar.