Ndërkohë që ankthi i pandemisë që prej marsit të vitit të kaluar, ka kapluar të gjithë njerëzit, studentët janë ndër ato kategori të shoqërisë që efektet e saj negative po i ndjejnë edhe në shkollimin me shumë mund të tyre.
Sikur të mos mjaftonte fakti që sistemi ynë universitar ka shumë problematika dhe lë shumë për të dëshiruar, pandemia duket sikur i dha asaj goditjen përfundimtare.
Fillimi i një “epoke të re” mësimi nëpërmjet platformave online, ka shtuar pakënaqësitë e studentëve në lidhje me procesin e mësimdhënies, tarifat e larta jo vetëm të internetit por edhe të studimeve, të cilat për hir të së vërtetës nuk kanë ndryshuar fare, si dhe me sjelljet neglizhente të administratës universitare dhe të pedagogëve ndaj tyre.
Një prej Universiteteve publike që ka një numër të konsiderueshëm studentësh, si dhe i lakuar shpesh për problematika të ndryshme studentore, është edhe Universiteti Bujqësor i Tiranës (UBT).
Gjatë ditës së sotme Administrata e këtij Universiteti, ka nxjerrur një njoftim, ku ka paralajmëruar të gjithë studentët e këtij Institucioni të Arsimit të Lartë (IAL), që kanë afat deri në datën 25 janar për të paguar këstin e parë të tarifës vjetore të këtij viti akademik.
Shumë nga studentët e këtij universiteti e kanë marrë këtë njoftim si një ultimatum nga ana e sekretariatit, për të paguar me detyrim tarifën, pasi në të kundërt ata do të përjashtohen.
Disa studentë të UBT-së, janë shprehur ekskluzivisht për Gazetën Reforma, se në rast se tarifa nuk do të paguhej nga ana e tyre, atëherë administrata së bashku me pedagogët do t’i përjashtonin nga mësimi ata, nëpërmjet disa metodave.
Një studente e këtij universiteti, e revoltuar nga pengesat e shumta dhe mosfunksionimi i duhur i procesit të mësimdhënies, u shpreh për Gazeta Reformën se është detyruar që të paguajë këstin e parë të tarifës, sepse ndryshe nuk do i vinin më njoftimet në email për oraret e lëndëve mësimore, apo pedagogët nuk do ia dërgonin linkun për qasjen në leksionet e lëndëve të caktuar në platformën online të Zoom apo Google Classroom.
“U detyrova e pagova këstin e tarifës para datës 25 janar,sepse po na digjnin vitin. Ishte si një kusht, si një urdhër i preë! U hoqëm nga lista e studentëve, nuk na vinin as emailet, as linqet për mësim. Pasi bëra pagesën, fillova sërish të kisha qasje në leksionet dhe seminaret online”, u shpreh e revoltuar studentja.
Shumica e degëve tona në Universitetin Bujqësor, kanë nevojë për praktikë në terren, ndërkohë që pedagogët na japin vetëm librat dhe leksionet se çfarë të mësojmë, ndërsa shpjegimin e bëjnë vetëm sa për të thënë”, thotë studentja për Gazetën Reforma.
Po ashtu studentja shprehet se pas protestave të mëdha të studentëve në dhjetor të 2018-tës, administrata uli sa për fasadë tarifën shkollore të bachelorit me 50 mijë lekë të vjetra, duke e bërë nga 30 mijë lekë të reja në 25 mijë lekë.
Ndër të tjera, studentja paraqiti edhe problematikën e neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së shumë pedagogëve. Ajo u shpreh se pedagogët i japin orët e mësimit duke i reduktuar shpesh herë vetëm në 20 minuta, si dhe i mbushin studentët me detyra në mënyrë që këta të fundit të mos ngrenë “asnjëherë kokë”.
“Jemi mbushur plot detyra, asnjë lloj shpjegimi sepse supozojnë që gjasme i ke mësuar vet. Nga 3 orë seminari, e bëjmë apo nuk e bëjmë 1 orë. Pedagogët shpesh fillojnë shpjegojnë sipërfaqësisht dhe na mbushin plot detyra për të mbuluar neglizhencën e tyre.
Kemi edhe ndonjë lëndë që nuk kemi bërë fare, jemi ankuar te shefi i departamentit që shumë pedagogë nuk po bëjnë asgjë, vetëm na sjellin leksionet.
Ka edhe profesorë që nuk duan t’ia dijnë fare, i shmangen përgjegjësisë duke thënë se thotë se platforma është me pagesë dhe nuk e përballojnë dot”, thotë studentja për Gazetën Reforma.
Një prej pedagogëve të cilët pretendojnë se platforma online Zoom është me pagesë dhe se ai vet nuk mund ta përballojë dot koston e saj, është edhe pedagogu Ndoc Fasllia. Në një bisedë me studentët, ky pedagog, i cili ligjëron lëndën e “Përmirësimit gjenetik”, shprehet se platforma Zoom është me pagesë, kështu që duhet të blihet, por ai vet nuk e ka blerë edhe pse i duhet si një mjet komunikimi për mbarëvajtjen e procesit mësimor me studentët!
Ky paradoks është vetëm një nga shumë të tillët në këtë Universitet. Studentët shprehen se Universiteti e ka për detyrë që të paguajë koston e platformës, pasi në këto kushte pandemia është mjeti kyç, kryesor për mbarëvajtjen qoftë edhe të cunguar të procesit mësimor.
Gjithashtu një tjetër student ka denoncuar shqetësimet e tij në redaksinë tonë. Ai ka deklaruar se shpesh janë hedhur nëpër media disa anketime me dezinformata në lidhje me pjesëmarrjen e studentëve të UBT-së në mësimin online, duke e nxjerrur si universitetin me pjesëmarrjen më të lartë studentore në procesin e mësimit online.
Sipas tij këto mund të jenë thjesht “qoka” apo reklamë e sponsorizuar, për të krijuar një fasadë se gjërat në këtë universitet shkojnë mirë, ndërkohë që tentojnë të fshihen shumë problematika.
“Nuk është e vërtetë që Universiteti Bujqësor është universiteti i parë në Shqipëri për nga pjesëmarrja e studentëve në mësimin online. Unë përshembull jam në një klasë me gati 100 vetë, por maksimumi që hyjnë për të ndjekur leksionet janë 29-30 veta”, thotë studenti për Reformën.
Përpos këtij fenomeni, studenti është shprehur se në këtë periudhë edhe pandemia, për të studentët janë heronj, pasi iu janë shtuar përveç problemeve të mëparshme edhe autodidaktika, nevoja dhe vullneti i të mësuarit, të nxënit vet, për shkak të rrethanave.
“Për mua studentët gjatë kohës së pandemisë janë heronj, sepse çdo gjë po e bëjnë dhe po e mësojnë në kushte të vështira vet. Shumë prej tyre me sa kam parë unë në UBT, vijnë nga rrethet dhe shpesh këto kosto të mëdha janë të papërballueshme për ta dhe për familjet e tyre”, ka përfunduar studenti.
Kujtojmë se që pas fillimit të procesit mësimor online nëpër universitete, ankesat e studentëve për pedagogët, mënyrën e mësimdhënies së tyre, neglizhencën, arrogancën e administratës universitare, sa vijnë e janë shtuar.
Si pasojë shumë studentë janë shprehur se i gjithë ky akumulim, pasi të përfundojë pandemia, do shtrihet në rrugët e Tiranës, për të bërë protesta studentore edhe më të mëdha se sa ato të dhjetorit të 2018-tës! /Gazetareforma.com/