Skip to content
Të Gjitha

Ekskluzive/ Mediave u shtrëngohet laku, tarifa për dokumentet e shtetit, ligji që u përgatit në fshehtësi

· 3 min lexim

Nuk mjafton ligji mbi antishpifjen, që ndodhet në proces diskutimi, por Qeveria bën gati edhe një projektligj për të kufizuar marrjen e informacionit nga zyrat e shtetit. Ligji ngre pengesa të reja për gazetarët duke i penguar të investigojnë dokumente të ndryshme shtetërore. Sipas draftit, institucionet do të kenë të drejtë vënë tarifa për marrjen e dokumenteve ekzistuese. Projektligji është përgatitur në fshehtësi, pa u diskutuar me mediat dhe shoqërinë civile.

Megjithëse pretendohet se respektohet e drejta e informimit, e cila rregullohet nga një ligj tjetër, drafti ka tejkalim dhe anashkalim të ligjit ekzistues.

Informacionet që lejohen

Ky ligj zbatohet për ripërdorimin e dokumenteve që mbahen nga organet e sektorit publik, sipërmarrjet publike, prokurimet, në sektorët e ujit, të energjetikës, të transportit dhe të shërbimeve postare; operatorë të shërbimeve të transportit publik, rrugor, ajror e detar, të dhënat kërkimore, si: statistika, rezultate eksperimentesh, matje, vëzhgime që vijnë nga puna në terren, rezultate anketimesh, regjistrime intervistash e imazhe.

Kufizimet

Ndërkaq, qeveria ndalon shpërndarjen e informacioneve  për  ato dokumente, ofrimi i të cilave është jashtë objektit të veprimtarisë së organit përkatës të sektorit publik; për të cilat palët e treta kanë të drejta të pronësisë intelektuale; që përmbajnë të dhëna sensitive, përfshirë dhe ato që përjashtohen për arsye të: mbrojtjes së sigurisë kombëtare, të mbrojtjes ose të sigurisë publike; konfidencialitetit statistikor; konfidencialitetit të të dhënave tregtare apo profesionale të kompanive/shoqërive tregtare; aksesi i të cilave është i kufizuar sipas ligjit për të drejtën e informimit, përfshirë rastet ku qytetarët apo personat juridikë duhet të provojnë një interes të veçantë për të aksesuar dokumentet; të institucioneve kulturore, duke bërë përjashtim nga këto institucione bibliotekat universitare, muzetë dhe arkivat.

Ligji i lë hapësirë institucionit të mos japë dokumente kur nuk i intereson. “Për qëllime të ripërdorimit të dokumenteve, organi i sektorit publik nuk është i detyruar të krijojë ose të përshtasë dokumente apo të ofrojë ekstrakte në ato raste kur kjo kërkon përpjekje të konsiderueshme shtesë dhe joproporcionale që shkojnë përtej funksionit të zakonshëm”.

Tarifa e ripërdorimit dhe licenca

Ripërdorimi i dokumenteve, sipas projektligjit, mund të bëhet kundrejt një tarife, për të mbuluar kostot shtesë për arsye të riprodhimit, ofrimit e shpërndarjes së dokumenteve, për fshirjen e të dhënave personale, si dhe masat e marra për të mbrojtur konfidencialitetin tregtar.

Organi i sektorit publik që aplikon tarifa për të drejtën e ripërdorimit e bën atë publike në faqen e vet të internetit, si dhe në portalin unik qeveritar të të dhënave të hapura. Ripërdorimi i dokumenteve është i hapur ose kundrejt aplikimit të licencës standarde. Në rastin e aplikimit të licencës standarde, licenca ofrohet në formatin elektronik. Licenca standarde përcakton të drejtat e kufizimet e ripërdorimit, si: për printimin, kopjimin, përpunimin e të dhënave, lejimin ose jo të transferimit te palë të treta, kërkesat për respektimin e pronësisë intelektuale dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

 

Mosrespektimi i kërkesave ligjore për kushtet e ripërdorimit/licencës standarde dënohet me gjobë nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) deri në 500 000 (pesëqind mijë) lekë;

Nëse i interesuari ka ankesë, duhet të drejtohet tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

/GazetaReforma.com/