Ekipet e femrave kusht për Superioren, FSHF takim me përfaqësuesit e klubeve

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Përfaqësuesit e klubeve të Kategorisë Superiore kanë zhvilluar sot një takim me drejtuesit e FSHF-së për t’u njohur në detaje me strategjinë e Federatës për zhvillimin e futbollit të femrave. Në këtë takim ishin të pranishëm Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, përgjegjësi i Sektorit të Futbollit të Femrave, Florian Riza, drejtorë dhe presidentë klubesh.

Gjatë diskutimeve Sekretari Shulku i ka njohur klubet me projektin e Federatës për të incentivuar futbollin e femrave dhe me kriteret e licencimit, që përcaktojnë se çdo klub i Kategorisë Superiore duhet të ketë detyrimisht një ekip femrash për sezonin 2021-2022.

“FSHF mendon se duke i angazhuar të gjitha klubet për të krijuar një ekip femrash nga sezoni i ardhshëm do të ndihmojmë në zhvillimin dhe masivizimin e futbollit të femrave. Duke nisur nga sezoni 2021-2022 çdo klub i Kategorisë Superiore duhet të ketë një ekip femrash për të marrë pjesë në kampionat në mënyrë që të licencohet”, – tha Shulku.

Vetëm e klubet e Vllaznisë, Teutës dhe Apolonisë kanë aktualisht nga një skuadër femrash dhe kanë marrë pjesë rregullisht në kampionat. Ndërkohë, së fundmi edhe Tirana dhe Partizani i janë shtuar listës së klubeve që kanë krijuar një ekip femrash.

“Siç e dini tashmë, zhvillimi i futbollit të femrave është prioriteti më i madh FSHF-së dhe ne kemi besim se duke bashkëpunuar me ju do të nxisim masivizimin dhe të rrisim cilësinë e futbollit të femrave”, shtoi Shulku, teksa shpjegoi edhe mënyrën se si do të orientohet buxheti i Federatës për këtë kategori.

Klubet ranë dakord që paralelisht të formojnë edhe skuadra për femra të grupmoshave U-13 dhe U-15, në mënyrë që të krijohet një bazë sa më e gjerë për të ardhmen e futbollit të femrave.

Shpërndaje
Share.

Komento