Dokumenti/ Gjergj Luca merr në zotërim për 30 vite liqenin e Butrintit. Shpërblim nga qeveria për mbështetjen ndaj PS?

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Biznesmeni Gjergj Luca, pronari i kompanisë “Rozafa Fish”, i cili parapëlqen të thirret edhe me nofkën “Oligarku”, duket se është shpërblyer për besnikërinë e tij dhe disa favore të bëra ndaj Partisë Socialiste.

Në kompleksin e “Rozafa Fish” të biznesmenit Luca, aty ku zhvillohen edhe mbledhjet e socialistëve në fshatin Labinot, zhvillohet një aktivitet për të cilin jo pak herë ka pasur konflikte me banorët e zonës.

Por tashmë kompania e “oligarkut” Luca, është shpallur fituese bashkë me firmën “Kleris B” sh.p.k dhe do të mbajnë për të paktën 10 vite Liqenin e Bufit dhe Pritën e Rrëzës, në zonën e Butrintit në Sarandë.

Kështu, Gjergj Luca, administratori i firmës së peshkut duket se nuk është mjaftuar me 3000 m2 truall dhe det në Shëngjin dhe 135 mijë m2 objekte ish-ushtarake në Labinot fushë të Elbasanit, apo të tjera reparte ushtarake në Përrenjas.

“GazetaReforma.com” ka mësuar sot se tashmë “oligarku” i ka hedhur sytë drejt Jugut, ku dhe ka marrë me koncesion liqenin ‘Xarrë-Bufi’ në Butrint, me atë që quhet “kontrata e plotë vetëm 1 Euro”, dhënë për firmën “Rozafa Sh.p.k”, nga ministri i Bujqësisë, Bledar Çuci.

Ky i fundit i ka bërë në emër të “Rilindjes” qokën “oligarkut” Luca, ku afati i koncesionit është 10 vjet, por me të drejtë përsëritjeje edhe 20 vite të tjera, pa konkurrent, ndërsa duhet thjesht një rinovim letrash të kontratës aktuale.

Kontraktimi

Ky liqen është i njohur për pasuri dhe do të përdoret për peshkim artizanal dhe kultivim midhjesh, si dhe do të shërbejë edhe për turizëm me anë të kanalit që e lidh me liqenin e Butrintit.

Referuar njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë, Gjergj Luca, e ka ‘fituar’ këtë koncesion, në garën e datës 17.09.2020, organizuar me dyer të mbyllura në zyrën e ministrit Çuçi, ku firma ‘Rozafa’ ‘fitoi’, ndërsa dy konkurrentë të tjerë ishin sa për të plotësuar numrin.

Të dy kompanitë janë shpallur fituese me 92.6 pikë, duke mundur dy garuesit e tjerë. Megjithatë të dyja firmat kanë të drejtë përsëritjeje edhe 20 vite të tjera pa konkurrent.

Ndërkohë nga ana ligjore, për të fituar këtë koncesion kërkohet një bashkim i dy firmave si ‘shoqëri’. Për të qenë konform rregullave, Luca ka bërë ortak firmën ‘Kleris B shpk’.

Mirëpo kjo firmë rezulton se nuk ka ekzistuar dhe nuk është e regjistruar fare në QKB, ndaj lind edhe dyshimi se të dyja kompanisë, si “Rozafa Fish” ashtu dhe “Kleris B” janë të të njëjtit pronar, pra vet Gjergj Lucës.

Image

Image

Shpërblimi

Kryeministri Rama, ka “mbyllur një sy” për këtë shkelje të hapur dhe e ka kaluar në heshtje “gostinë e mikut të tij peshkatar”.

Ky duket se është “shpërblimi” i radhës që kryeministri Edi Rama, i ka bërë Lucës, në biznesin e të cilët ka mbledhur çdo herë socialistët, duke injoruar edhe protestat e banorëve të fshatit Labinot Fushë.

Këta të fundit jo pak herë kanë protestuar edhe përpara kompleksit “Luca”, me pretendimin se sipërmarrësi po u grabit ujin dhe tokat, si dhe po u ndot ambientin.

Për këtë të fundit as ministria e Mjedisit dhe Turizmit, e drejtuar nga socialisti Blendi Klosi, nuk është ndjerë asnjëherë, madje as Zyra Rajonale e Mjedisit në bashkinë e Elbasanit.

Gjithashtu banorët e zonës pretendojnë se Luca, po ndot edhe lumin Shkumbin me mbetjet e tij të peshkut që i hedh në një kanal që derdhet pikërisht në shtratin e lumit Shkumbin.

/GazetaReforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento