Mbrëmjen e sotme ka ndodhur një aksident me vdekje në aksin Levan-Tepelene. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:45 në fshatin Ziaj.
Burime zyrtare bënë me dije se në aksident u përfshinë dy makina, një “Benz” dhe një “BMW”.
Gazetari Ervis Kuçi raporton për BalkanWeb se një person ka humbur jetën dhe është plagosur një tjetër. Për pasoje ka ndërruar jete Indrit Rushitaj dhe është plagosur Fatjon Lalaj.
NJOFTIMI I POLICISE
Sot rreth orës 18:45, në aksin rrugor Levan-Tepelenë, në fshatin Ziaj, shtetasi I. R., 37 vjeç, banues në Fratar, duke drejtuar automjetin tip “Benz” është përplasur me automjetin tip “Bmw” me drejtues shtetasin F. L., 34 vjeç, banues në Çorrush, Mallakastër.
Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shtetasi I. R. dhe është dëmtuar e ndodhet në spital shtetasi F. L.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Kujtojmë se gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti, numri i aksidenteve rrugore në të gjithë vendin ka qenë në rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjithsej janë shënuar 217 aksidente rrugore, 13 më shumë se dy muajt e parë të vitit të kaluar. Numri i viktimave të shkaktuar nga këto aksidente ka ardhur në rënie. Në muajt janar e shkurt të 2022 kanë ndërruar jetë 32 persona, 8 më pak se vitin e shkuar.