Ditën e sotme po mbahet Kongresi i Jashtëzakonshëm i Partisë Socialiste, në stadiumin “Air Albania”. Ndër përfaqësuesit politik që ka folur ka qenë edhe Ministri i Financave, Arben Ahmetaj i cili në fjalën e tij, deklaroi se Shqipëria ia doli që ta mund pandeminë e COVID-19. Ai ka vazhduar më tej duke thënë se vendi ynë ka nisur ringritjen, pas dy goditjeve të mëdha dhe të njëpasnjëshme si tërmeti dhe pandemia.
Ahmetaj theksoi se do të hapen në vend më shumë se 150 mijë vende të reja pune, kurse shtoi se pagat deri 40 mijë lekë do të jenë të pataksuara.
“Shqipëria ka nisur ringritjen, pas dy goditjeve të mëdha. E mundëm pandeminë, jemi ne dhe Islanda në krye të renditjes. Tërmetin do e kemi në kujtesë, por do kemi banesa të reja, një jetë që vazhdon, me rritje të konsiderueshme ekonomike. Do ketë rritje të të ardhurave përmes punësimit.
Në mandatin e katërt, do kemi 150 mijë vende të reja pune, edhe më të paguara. Pagat deri 40 mijë lekë do jenë të pataksuara. Brenda mandatit të tretë, paga minimale do të shkojë 38 mijë lekë. Rritja e pensionit në vit do jetë 6 për qind. Do të rritet përfitimi i ndihmës ekonomike”, u shpreh Ahmetaj.