E FUNDIT/ Coronavirusi, qeveria shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë Shqipërinë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Qeveria shqiptare mbrëmjen e kësaj të marte ka shpallur në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë gjendjen e fatkeqësisë natyrore për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Kryeministri Edi Rama vendimin për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore e ka paralajmëruar një ditë më parë në një intervistë të dhënë për ABC News dhe tashmë vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare.

Ligji “Për Mbrojtjen Civile” përcakton se “Fatkeqësi natyrore konsiderohen fatkeqësitë që shkaktohen nga dukuri natyrore ekstreme, që lidhen me tërmetet, përmbytjet dhe vërshimet e ujit dhe dukuri të tjera që ndikojnë në jetën e njerëzve, gjënë e gjallë, pronën, trashëgiminë kulturore dhe mjedisin.”

Neni 39 i ligjit e ngarkon qeverinë për të shpallur gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe të marri masat përkatëse.
“Këshilli i Ministrave mund të vendosë, për një periudhë jo më të gjatë se 30 ditë, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në një pjesë ose në të gjithë territorin e vendit.”

Në varësi të llojit të emergjencës vendore, kur përballohet nga bashkia ose bashkitë nëse preken më shumë se një bashki dhe kombëtare, kur kërkon ndërhyrjen e institucioneve shtetërore-qeveria duhet të marri masa të tilla si:

  • Caktimin e objekteve shtetërore për tu vënë në shërbim të qytetarëve që të strehohen
  • Evakuimin e qytetarëve
  • Zhvendosjen e qytetarëve nga objektet e dëmtuara
  • Vendosjen e tyre në zona të sigurta si dhe
  • Masa të tjera që parandalojnë pasojat nga fatkeqësia.

Qeveria dhe bashkitë kanë detyrim ligjor të kompesojnë të gjithë qytetarët të prekur nga fatkeqësia natyrore.

Ky detyrim ligjor është parashikuar në nenin 41 të ligjit :

“Shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie.”

Kliko në linkun e mëposhtëm për të lexuar vendimin e plotë:

Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore

Deri më tani në vendin tonë janë infektuar 123 persona dhe kanë humbur jetën 5 të tjerë, si edhe janë konfirmuar 10 mjekë  të infektuar.

Mbrëmjen e sotme u raportua se një mjeke nga Infektivi mund të jetë infektuar pasi ka shfaqur simptoma, teksa mësohet se ajo ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me të prekurit.

Coronavirusi ‘nuk i kursen’ bluzat e bardha, një mjeke e Infektivit mund të jetë infektuar nga COVID-19

BE ditën e sotme i ofroi vendit tonë 50 milionë euro në kuadër të ndihmës për të luftuar Coronavirusin: 4 mln€ për pajisje dhe mbështetje shëndetësore, 11 mln€ për mbrojtjen sociale dhe deri në 35 mln€ për rimëkëmbjen ekonomike.

Shpërndaje
Share.

Komento