E gjithë Vlora u trondit nga vrasja e Kristian Breshanaj në agimin e ditës së Fitër Bajramit, teksa shkaqet e ngjarjes së rëndë vijojnë të jenë të paqarta për Policinë dhe Prokurorinë e Vlorës.
Pak ditë më parë u raportua se Breshanaj, mund të jetë ekzekutuar nga anëtarët e një grupi në Vlorë, të cilët besohet se kanë dyshuar se ai ishte informator i një grupi kriminal në Vlorë.
Pas kthimit nga Belgjika, Breshanaj shpesh herë qëndronte në disa kafene, që ndodhet shumë afër një kompleksi banimi në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë, ku është zona e influencës së një grupi kriminal në qytetin e Vlorës dhe nisur nga këto rrethana, Policia ka ngritur dyshime të bazuara në informacione operative, se anëtarët e grupit kriminal, mund të kenë dyshuar se prania e shpeshtë në këtë zonë e Breshanaj, çonte prej tij informacione tek krahu tjetër kundërshtar.
Ngatërresa mund të ketë ndodhur për shkak edhe të makthit të anëtarëve të grupit, se rivalët mund t’i godasin me një atentat të mundshëm.
Ndërsa ditën e sotme, në një intervistë për “Klan Plus”, ka folur babai i 26-jeçarit të ndjerë Kristian Breshanaj.
Mes dhimbjes ai ka treguar edhe momentet e para pas ngjarjes.
Mond Breshanaj, me profesion mjek, shprehet se kur ka parë djalin të vdekur nuk ka reaguar fare dhe se ka qenë gjakftohtë, por në shpirt kishte një boshllëk të madh.
Ai shprehet se nuk e kishte menduar kurrë që djali i tij të mund të përfshihej ndonjëherë në ndonjë organizatë kriminale.
Edhe pse është e vështirë të pranohet nga një baba, ai është shprehur se nuk hedh poshtë asnjë mundësi si arsye të ngjarjes së rëndë.
“Çuni në atë kohë po kthehej në shtëpi së bashku me një shokun e tij.
Në territorin e murit tim aty, ishte drita e një porte, në atë pozicion ai krimineli i ka goditur. Kam qenë unë i pari që kam shkuar.
Jam njoftuar nga bashkëshortja ime që s’ka ardhur çuni dhe kam telefonuar direkt se dëgjova një krismë tha.
Kam telefonuar direkt çunin, binte zilja dhe nuk përgjigjej. Atëherë mendoja që diçka ka ndodhur. Kur kam shkuar para çunit nuk kam bërë asnjë lëvizje, isha shumë gjakftohtë, sepse është puna ime mjek. Unë nuk reagova para çunit.
Qëndrova shumë gjakftohtë, pavarësisht se në zemrën time kam një boshllëk të madh, më ka ndodh një fatkeqësi e madhe që unë nuk e meritoja si familje dhe si person.
Si në të gjitha zonat në Vlorë ka elementë që janë të skeduar, që njihen për problemet e tyre.
Edhe tek zona e Ujit të Ftohtë elementë të tillë që shteti i njeh, por çuni im dilte aty te lagjia. Nuk lëvizte shumë.
Ose dilte në këmbë, ose dilte në makinë. Dilte kontaktonte me shokë të lagjes që ai i ka pasur shokë fëmijë sepse ai ka jetuar prej 24 vitesh aty. Edhe takohej me ta rrinte, pasdite dilnin bënin xhiro, shkonin deri në Kaninë dhe ktheheshin.
Dhe ky ishte itinerari. Në orën 22:00, 23:00 kthehej në shtëpi ose kthehej dhe më shpejt.
Atentati mund të jetë edhe shkaku pse ky ka qenë në Belgjikë dhe atje mund të ketë pasur raporte me njerëz të ndryshëm.
Ti mund të kesh komunikim po mund mos kesh marrëdhënie.
Meqë ai është kthyer, mund të jetë aluduar nga të tjerë që mund t’i kenë faturuar dhe gjëra që nuk i ka patur”, është shprehur kështu babai i Kristian Breshanaj.