Ardian Dvorani, gjyqtari i Gjykatës së Lartë, është tërhequr sot nga kandidimi për të qenë pjesë e Gjykatës Kushtetuese, pasi siç shprehet ai ka detyrim Kushtetues për të drejtuar Këshillin e Emërimeve të Drejtësisë, meqë është anëtar dhe kryetar i këtij institucioni.
“Kam detyrime kushtetuese për të drejtuar Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Konsideroj si prioritare drejtimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Tërheqja është e parevokueshme– ka thënë Dvorani.
Kujtojmë se Ardian Dvorani është rikonfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duke kaluar filtrin e vetting-ut.
Rikonfirmimi i tij në detyrë është kundërshtuar nga PD që thotë se Kushtetuta përcakton se anëtari i Gjykatës së Lartë e ka mandatin 9 vite, ndërsa Dvorani është i vetmi anëtar në historinë e saj që ka 13 vite në atë post.
Ndërkohë sipas ligjit thuhet se “Gjyqtari, të cilit i ka përfunduar mandati apo i ka mbaruar mandati, sipas shkronjës “c” të nenit 139 të Kushtetutës, vazhdon të ushtrojë detyrën deri në emërimin e pasardhësit.”
E megjithatë, përtej të gjithave, rasti “Dvorani” tërhoqi vëmendje pasi me gjithë akuzat që rëndonin mbi të, e kaloi sitën e vetting-ut ‘pa u lagur’, sikundër shumë kolegë të tij që ndoshta për arsye jo aq madhore sa ai humbën betejën.
Kujtojmë se kur ai u përball me KPK-në, i duhej të kapërcente me sukses filtrin e trefishtë të kontrollit, dhe në shtyllën e pasurisë, e vetmja pikëpyetje që ngrihej, lidhej me mosdeklarimin nga ana e Dvoranit, e llogarive bankare, por që u konsiderua si ‘harresë’ dhe jo fshehje pasurie.
Ardian Dvorani, në deklaratën e pasurisë për llogari të procesit të Vetting-ut, nuk ka deklaruar llogaritë bankare prej 9,975,000 lekësh. Mosdeklarimin e kësaj shume, ILDKPKI e ka konsideruar si deklarim të pasaktë dhe jo në përputhje me ligjin. Po ashtu, likuiditetet e padeklaruara i ka konsideruar si fshehje pasurie. Gjatë hetimit administrativ nga KPK, pas informacionit të marrë nga bankat e çdo niveli, ka rezultuar se gjyqtari Dvorani dhe personat e lidhur me të, nuk kanë deklaruar në deklaratën për Vetingun shumat 670,018 lekë, 3,500,000 lekë, 300,000 lekë, 401,025 lekë, 349,666 lekë, 2,000,000 lekë, 2,000,000 lekë etj.
Por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit thotë se këto shuma janë të justifikuara si dhe gjyqtari i ka deklaruar në të gjitha deklaratat periodike të dorëzuara në ILDKPKI dhe nga hetimi administrativ, është provuar se llogaritë bankare në emër të tij, bashkëshortes dhe personave të tjerë të bashkëlidhur, janë deklaruar ndër vite, por jo në dekleratën e vetting-ut.
Ndërkohë sipas një studimi të BIRN, të skedës së pasurisë, Dvorani zotëronte një pasuri familjare prej 1.1 milionë lekësh në vitin 2003-kur deklaroi pasurinë për herë të parë. Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e tij është rritur me 10 herë duke kapur vlerën e 11.8 milionë lekëve.
Pasuritë e paluajtshme të familjes Dvorani kapin vlerën e 3.2 milionë lekëve. Ai zotëron një apartament në Tiranë, ndërkohë që si ai dhe bashkëshortja kanë deklaruar pjesë takuese në apartamentet familjare të përfituara nga privatizimi. Familja Dvorani zotëron gjithashtu likujditete në bankë në vlerën e 5.9 milionë lekëve si dhe automjete në vlerën e 2.6 milionë lekëve.
Të ardhurat familjare të zotit Dvorani kapin vlerën e 57.6 milionë lekëve për vitet e deklarimit 2003-2017. Të ardhurat ndahen në 38.8 për qind nga paga e tij si gjyqtar, 42.5 për qind nga të ardhurat e bashkëshortes, 6.9 për qind nga mësimdhënia dhe 11 për qind janë klasifikuar si të ardhura nga burime të tjera.
BIRN ka identifikuar megjithatë si “flamur të kuq” një hua që zoti Dvorani e ka marrë nga prindërit në vitin 2013 për të shlyer kredinë e apartamentit të blerë që në vitin 2004. Në fund të vitit 2017, kjo hua në vlerën 1 350 000 lekë rezulton ende e pashlyer.
Nga ana tjetër, Komisioni u shpreh se ILDKPKI përpara se të hartonte raportin duhet ta thërriste subjektin dhe ta pyeste për mosdeklarimin e likuiditeteve në shumën e 9.9 mln lekëve, për sa kohë gjyqtari i lartë është shprehur se ishte harresë për shkak të punës. Sipas komisionit, pavarësisht gjetjeve të Inspektoratit, nga hetimi është provuar se Dvorani ka burime të mjaftueshme financiare, për të justifikuar jo vetëm likuiditetet, por të gjitha pasuritë, për të cilat ka bërë deklarime të sakta.
Në të njëjtën linjë me komisionin, ishte edhe vetë subjekti i cili pranoi se ka pasaktësi në plotësimin e deklaratave, ku siç shpjegoi, konstatoi me shumë vonesë që mungonin katër faqe, por pavarësisht kësaj, nuk u thirr asnjëherë nga Inspektorati për të dhënë shpjegimet e tij…
Po ashtu, në deklarimin e të ardhurave të gjyqtarit Dvorani bie nën sy edhe deklarimi i tij si mësimdhënës njëherësh në disa universitete.
Në këtë mënyrë a prodhohet konflikt papajtueshmërie, ndërsa këto kompani të regjistruara si universitete private, punësojnë një gjyqtar?
Nëse këto universite do të kishin një çështje gjykatë, rasti perceptohet i zgjidhur në favor të tyre, duke ditur se pjesa më e madhe e gjyqatarëve janë të punësuar prej tyre.
Për sa i përket rezultateve të vetting-ut, ku thuhet se subjekti nuk ka lidhje me krimin, sipas opozitës Dvorani është mik i familjes së ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, dhe për më tepër ka pasur lidhje me vëllanë e Xhafaj, Agronin, i cili vuan dënimin në Itali për trafik droge.
Një çështje tjetër e cila mund të këtë ndihmuar atë të kalojë sitën e vetting-ut…
Megjithatë veprimet e dyshimta të Dvoranit datojnë që herët në vitin 2003 me skandalin e kontratës “Elbo-barter”, e lidhur mes ministrisë së Mbrojtjes, me në krye asokohe Pandeli Majko dhe biznesmenit Mihal Delijorgji, ku pas një hetimi të gjatë dolën në dritë abuzime.
Në prill të vitit 2004, Delijorgji u arrestua gjatë kohës që ishte president i sport-klub “Dinamos” me urdhër të Prokurorisë së Durrësit për shmangie të detyrimeve doganore, evazion fiskal dhe falsifikim dokumentesh.
Në atë kohë, ai ishte president i firmës “Përparimi” dhe u akuzua se u është shmangur detyrimeve për importimin e hekurit, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 1.2 milionë dollarësh.
Në 2006 gjyqtari që e shpëtoi ishte Dvorani dhe thuhet se si shpërblim i kërkoi të fuste vëllanë në punë tek Deliorgji. Por në vitin 2008 vëllai vdiq gjatë aksidentit në Gërdec si nëpunës i Deliorgjit i futur si shpërblim për gjyqin në Gjykatë të Lartë.
Të gjitha sa u thanë më lart mbeten konstatime.
Tani mbetet për t’u parë nëse rasti Dvorani nuk do të sjellë më debate, ose nëse gjatë rrugës mund të dalin indicie për një proces vetting-u me standarde të dyfishta…